Pas akuzave të Partisë Demokratike kundrejt kreut të Kuvendit reagoi edhe Kryeministria me anë të një deklarate, ku ka përgënjeshtruar përmendjen e zotit Meta në çështjen e arbitrazhit kundër kompanisë “DIA Ltd”.
Në deklaratën e dalë nga selia e Kryeministrit thuhet se: “Pas publikimit të sotem të një artikulli në portalin “Reporter.al”, Drejtoria e Komunikimit pranë Qeverisë shqiptare, sqaron se në datën 27 Gusht 2015, rrjeti investigativ “BIRN” ka kërkuar një koment të Kryeministrit të Republikës lidhur me disa pretendime, të pashoqëruara me fakte, që gazetarja ngrinte për Kryetarin e Kuvendit. Për të verifikuar pretendimin e “BIRN”, zyra e Kryeministrit i është drejtuar zyrës së Avokates së Shtetit, e cila është vënë në kontakt me studion ligjore “Clifford Chance”. Përfaqësuesi i studios ligjore, z. Tim Schreiber ka kthyer këtë përgjigje: Ndryshe nga ajo që disa gazetarë duket se pretendojnë, OSHEE në deklarimet e çështjes në arbitrazh kundër “DIA Ltd”. nuk ka përmendur emrin e zotit Ilir Meta si përfitues i transfertave bankare apo ndonjë praktike tjetër korruptive, që lidhet me marrëveshjen për mbledhjen e borxheve mes OSHEE dhe ‘DIA Ltd’”.
Gjyqi në arbitrazh kundër kompanise “DIA Ltd” vjen pas arrestimit të Kastriot Ismailajt, administratorit të kësaj kompanie, e cila gjatë kohës kur vendi drejtohej nga qeveria e zotit Berisha fitoi një kontratë për mbledhjen e borxheve të ish-kompanisë CEZ.
Ismaliaj akuzohet për mashtrim, por kompania e tij paditi ish CEZ-in, tashmë kompaninë OSHEE ne arbitrazh dhe kërkon si dëmshpërblim 130 milionë euro nga shteti shqiptar. Qeveria shqiptare në këtë gjyq mbrohet nga një kompani avokatore, ndërkohë që ka në dorë edhe dëshmitë e ish-punonjësve të “DIA”-s në favor të saj.
Top Channel