Aksioni ndaj informalitetit, Tatimet informojnë biznesin dhe qytetarët

03/09/2015 00:00

Grupet e kontrollit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve kanë zbritur në qytetin e Lushnjes për të sensibilizuar bizneset në lidhje me etapat që duhen ndjekur për ushtrimin e aktivitetit tregtar.

Grupi prej 7 punonjësish nga Drejtoria e shërbimit për tatimpaguesit ka shpërndarë informacionin fillestar për hapjen e niptit dhe etapat që duhet të ndjekë biznesi i vogël.

Numri i të interesuarve ka qenë i madh. Sipas Artur Koxhës, përgjegjës në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, tre kanë qenë informacionet kryesore të percjella tek bizneset: pajisja me kasën fiskale, lëshimi i kuponit tatimor dhe regjistrimi në QKR.

Pyetje të shumta i janë bërë këtij grupi tatimorësh nga bizneset, kryesisht mbi regjistrimin e mallit që është gjendje.

Aksioni për luftimin e informalitetit nga ana e qeverisë është përshëndetur nga bizneset në Lushnje, të cilët kërkojnë që efektet e tij të shtrihen jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe atë të madh.

Top Channel