Veliaj-administratorëve: Ftoni sa më shumë banorë për pastrimin e Tiranës

02/09/2015 00:00

Dy ditë para aksionit për pastrimin e Tiranës, kryetari i bashkisë Erion Veliaj ka mbledhur 24 administratorët, të cilëve u kërkoi angazhim maksimal për të ftuar komunitetin në këtë aksion.

Veliaj ka paralajmëruar kompanitë e pastrimit të kontraktuara nga bashkia se menjëherë pas këtij aksioni do të nisë vlerësimi i tyre nga komuniteti, ku në bazë të këtij vlerësimi do të sigurohet ose jo vazhdimësia e kontratës së tyre. Një test i tillë do të funksionojë edhe për administratorët, të cilët janë emëruar nga bashkia.

“E kam thënë se do të vlerësohen edhe administratorët. Ky aksion do të jetë testi i parë i tyre. Dua që vëmendja e këtij aksioni të jetë në shkolla, kopshte dhe çerdhe. Duhet të kenë një pastërti maksimale. Mund të jetë nevoja për mjete të rënda dhe ne do i vëmë në dispozicion”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj i ftoi të gjithë qytetarët që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike dhe të aftë për punë të jenë pjesë e aksionit të pastrimit ditën e premte: “Të gjithë njerëzit që marrin ndihmë ekonomike, duhet të jenë patjetër pjesë e aksionit. Do të mbahet listë-prezenca. Nëse do të marrësh lekë nga taksapaguesit, duhet që minimalisht të jesh në aksion ditën e aksionit”.

Lidhur me gjobat e qytetarëve që ndikojnë në rritjen e ndotjes së qytetit, kryebashkiaku u shpreh se në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të propozojë katërfishim të tyre: “Në disa raste, do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak t’i katërfishojë gjobat për ndotësit. Gjobat po funksionojnë”.

Top Channel