Bagdad, 18 punonjës turq merren peng. Asnjë përgjegjës

02/09/2015 00:00

Ministria e Brendshme e Turqisë ka bërë të ditur se 18 punonjës turq janë marrë peng nga njerëz të maskuar, në verilindje të Bagdadit gjatë së mërkurës.

Punonjësit janë rrëmbyer në një rajon të dominuar kryesisht nga shiitët, Habibiya, rreth orës 4 të mëngjesit (5 me orën lokale), bëri të ditur zëdhënësi i ministrisë, Saad Mann.

Ende nuk ka asnjë grup që të ketë marrë përsipër përgjegjësinë e rrëmbimeve, ndërkohë që vitin e kaluar 46 shtetas turq u morën peng nga militantë të Shtetit Islamik në Mosul, të cilët u lanë të lirë pas më shumë se 3 muajsh rrëmbim.

Në Bagdad mbeten ende aktivë grupe milicësh shiitë, por edhe grupe të tjerë të armatosur. Dy burime të policisë irakene thanë se agresorët mbanin veshur uniforma ushtarake dhe mbërritën me një autokolonë mjetesh sportive të zeza.

Zëdhënësi Maan mohon raportet për 3 irakenë të marrë peng nga i njëjti vendngjarje, ku punonjësit ishin duke punuar për krijimin e një fushe të vogël sportive.

Një deklaratë e lëshuar nga Shteti Islamik gjatë muajit të kaluar e akuzonte Presidentin turk, Tayyip Erdogan, se “e ka shitur vendin te kryqtarët dhe se kishte lejuar aksesin e SHBA-ve në bazat turke “vetëm për të ruajtur postin e tij”. Ankaraja ka ndërmarrë së fundi një rol parësor në vijën e parë të frontit të luftës kundër luftëtarëve të ISIS.

Top Channel