Austri, 20 mijë njerëz në shesh në tubimin proemigrantëve

01/09/2015 00:00

Pas disa javëve të acaruar me ndjenjat kundër emigrantëve në rritje, të reflektuara këto edhe në protesta dhe debate politike të ashpra në të gjithë Europën, rreth 20 mijë njerëz morën pjesë mbrëmjen e së hënës në një tubim prorefugjatëve në kryeqytetin austriak, Vjenë.

Ata marshuan duke mbajtur në duar banderola, ku shkruhej “Të drejtat e njeriut nuk njohin kufinj” dhe “Asnjë qenie njerëzore nuk është e paligjshme”. Mes marshuesve kishte edhe agjentë të skuadrave të ndërhyrjes së shpejtë me uniforma.

Javët e fundit, organizata të ndryshme ndërkombëtare, mes të cilave “Amnesty International” dhe “Mjekë pa kufij”, kanë kritikuar kushtet e këqija të jetesës së mijëra refugjatëve në qendrat e pritjes.

Por, kulmi i indinjatës u arrit pas gjetjes së 71 trupave të pajetë, brenda një kamioni frigorifer të braktisur në autostradë. Më herët, në Katedralen e Vjenës u mbajt një meshë për 71 viktimat e tragjedisë, që shpalosi para gjithë botës rreziqet, me të cilat përballen emigrantët në duart e trafikantëve, kur arrijnë në Europë.

Ndërkohë, qindra refugjatë mbërritën të hënën në Vjenë në bordin e trenave që vinin nga Hungaria, me qëllim që të kalojnë kufirin me Gjermaninë pas orëve të tëra të bllokuar. Edhe në Mynih kanë mbërritur trenat e parë të refugjatëve.

Me kontrollet në kufi të eliminuara në zonën “Schengen”, emigrantët kërkojnë që të lëvizin në vendet me prosperitet më të lartë. E për shumë prej tyre, Kancelarja gjermane Angela Merkel është heroina e vërtetë.

Gjermania ka pranuar më shumë kërkesa për azil se çdo vend tjetër i BE-së, pavarësisht një debati të ashpër politik në vend, ndërkohë që kancelarja ka përsëritur apelet drejtuar shteteve të tjera për të bërë më shumë.

Top Channel