Atentati në Bangkok, tjetër arrestim nga policia tajlandeze

01/09/2015 00:00

Një tjetër person i huaj është arrestuar në Bangkok lidhur me shpërthimin e ndodhur në muajin gusht.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri tajlandez. I dyshuari, një shtetas i huaj, është arrestuar në provincën Sa Kaeo, në lindje të kryeqytetit tajlandez, në kufi me Kamboxhian.

Kryeministri Prayuth Chan Ocha, në komunikimin me mediat e cilësoi atë si të dyshuarin kryesor. Ditën e shtunë një tjetër shtetas i huaj u arrestua në lidhje me shpërthimin në Erauan, që u mori jetën 20 personave.

Autoritetet ushtarake tajlandeze e kanë marrë në pyetje 28-vjeçarin, por nuk kanë publikuar emrin dhe nënshtetësinë e tij.

Materiale që përdoren për ndërtimin e bombave dhe pasaporta të falsifikuara u gjetën në apartamentin e tij, në rrethinat e Bangkokut, ndaj dhe ndaj tij është ngritur akuza e zotërimit të materialeve shpërthyese.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se cili nga dy të arrestuarit është personi që shihet në videon e regjistruar nga kamerat e sigurisë pak momente para shpërthimit të ndodhur më 17 gusht.

Autoritetet tajlandeze kanë lëshuar ndërkohë edhe tre urdhërarreste të tjera, duke e çuar totalin në shtatë.

Zhvillimet e fundit lidhur me këtë çështje sugjerojnë se policia po përballet me një rrjet militantësh, që mund të ketë përgatitur më shumë atentate.

Megjithatë, motivet e shpërthimit, i konsideruar i paprecedent në historinë e Tajlandës, mbeten ende të panjohura, edhe pse shumë ekspertë e kanë lidhur atë me dëbimin e myslimanëve ujgurë nga Tajlanda në Kinë.

Top Channel