Reforma në Drejtësi, institucionet në drejtësi bashkëbisedim me juristë nga diaspora 30 familje të cilat kanë plotësuar kriteret për të përfituar banesa sociale kanë marrë çelsat për të hyrë në shtëpitë e tyre në kompleksin e ndërtuar posaçërisht për to në Shkozë.
Do të jenë gjithsej 380 familje që do të përfitojnë banesa sociale, por kryetari i bashkisë, Erion Veliaj tha se kjo nuk mjafton për të zgjidhur çështjen e strehimit në Tiranë. Për këtë, ai deklaroi se do t’i kërkojë kompanive të ndërtimit të ulin çmimin e apartamenteve që u kanë mbetur pa shitur, ndërkohë që propozoi edhe mekanizmat që do t’i detyrojnë administratorët e tyre për këtë.
“Unë e di që kjo zgjidhje që japim sot për 30 familjet e para apo në total për 242 familjet që do të akomodohen këtu deri në fund të procesit, nuk mjafton. Nevojat për strehim në Tiranë janë më të mëdha. I kam bërë apel Shoqatës së Ndërtuesve që të ulë çmimet e apartamenteve të pashitura. I mbajnë apartamentet bosh dhe nuk e ulin çmimin. E di që shteti nuk ia cakton dot çmimet privatit pasi jetojmë në kapitalizëm, por shteti mund të bëjë këtë: taksën e pronës ta paguajnë edhe ndërtuesit e apartamenteve të pashitura. I bëj këtë apel ndërtuesve: nëse doni të mbani çmime stratosferike, atëherë mos kërkoni që të vazhdojnë të jepen leje ndërtimi në Tiranë”, tha Veliaj.
Ndër 30 familjet e para që morën çelsat për të hyrë në shtëpi, ishte edhe këngëtari i njohur Tonin Tërshana.
“Ju falenderoj shumë sepse kam 20 vite që jam pa shtëpi. Shumë faleminderit sepse më krijuat mundësinë që të jetoj si të tjerët”, tha këngëtari.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të dërgohet një tjetër listë me rreth 150 emrat e familjarëve që do të plotësojnë kriteret për të përfituar shtëpi nga banesat sociale.
Top Channel