Trafiku i klandestinëve, pranga 5 të dyshuarve në Austri

31/08/2015 00:00

Autoritetet austriake kanë vënë në pranga 5 persona të dyshuar si trafikantë të qënieve njerëzore, në vazhdën e një operacioni masiv gjatë të cilit po kontrollohen me imtësi automjetet që hyjnë në kufijtë lindorë të vendit.

Mbi 200 emigrantë janë gjetur gjatë natës në mjete të ndryshme, njoftoi shefi i policisë Konrad Kogler. Kontrollet, sidomos tek mjetet e mëdha e me hapësirë të mjaftueshme për të fshehur njerëz brenda, nisën mbrëmjen e së dielës me urdhër të ministres së Brendshme të Austrisë, Johanna Mikl-Leitner.

Masat e reja janë marrë pas zbulimit të 71 të vdekurve të enjten në një kamion të braktisur në rrugë. “Po e shohim se kontrabandistët janë duke vepruar në një mënyrë më të egër e të pamëshirshme sesa më parë, ndaj dhe kundërpërgjigjia jonë duhet të jetë më e ashpër”, deklaroi ministrja.

Për shkak të kontrolleve policore të shtuara në Austri, trafiku në rrugët kryesore të Hungarisë që çojnë për në kufi është rënduar me radhë të gjata automjetesh, që vetëm në autostradën M1 arrin deri në 30 kilometra.

Top Channel