Jep dorëheqjen themeluesi i “Ashley Madison” pas vjedhjes së serverave

28/08/2015 00:00

Themeluesi, njëkohësisht shefi ekzekutiv i “Ashley Madison” ka dhënë dorëheqjen pas vjedhjes së serverave dhe vetëvrasjes së dy klientëve të kompanisë.

Në deklaratën e lëshuar nga kompania thuhet se largimi i Noel Biderman ishte në interes të “Ashley Madison”. Ndërsa, deri në caktimin e një shefi të ri kompania do të drejtohet nga bordi i saj.

Pak ditë më parë piratët kompjuterikë u futën në serverat e “Ashley Madison”, një prej faqeve më të mëdha për njohje dhe takime për të rritur, duke marrë të dhënat e miliona përdoruesve, shumë prej të cilave i bënë publike më pas. Mes klientëve të kësaj kompanie besohet se ndodhen emra të njohur në fushën e sportit, artit, muzikës e madje edhe politikanë në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe vende të tjera të Europës.

Faqja shërben kryesisht për aventura jashtëmartesore dhe shumë përdorues të saj druhen se në listën e emrave të publikuar do të jenë edhe ata.

“Impact Team”, në publikimin e “dosjes” së tretë me emra “tradhtarësh”, thotë se nuk synon të shantazhojë askënd dhe qëllimi është zhveshja e hipokrizisë së shumë personazheve të famshëm. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, forumi teknologjik “The Verge” thotë se këto të dhëna po përdoren për të shantazhuar personat që kanë pasur një llogari në serverat e “Ashley Madison”.

Vetëm dy ditë pas publikimit të këtyre të dhënave, dy persona u vetëvranë në Kanada, për të cilët u tha se ishin klientë të “Ashley Madison”.

Top Channel