Australi, indinjatë në popull pas lajmit për “kontroll vizash” në rrugë

28/08/2015 00:00

Agjencia australiane e mbrojtjes së kufijve “ABF” ka ngjallur reagime të ashpra, pas njoftimeve se do të ndërmarrë kontrolle të vizave në rrugët e Melburnit.

Sipas ABF-së, punonjësit e saj do të kryenin verifikime për mashtrime me vizat, në vazhdën e një operacioni më të gjerë kundër krimit, në të cilin janë përfshirë disa agjenci.

Por lëvizja ka shkaktuar indinjatë, ndërsa shumë njerëz thonë se i druhen profilizimit racist e shqetësimeve.

Megjithatë operacioni është anuluar nga policia e Victorias. Në deklaratën e mëvonshme sqaruese të ABF-së, lexohej:

“Nuk do të ndalojmë njerëz çfarëdo në rrugët e Melburnit për t’iu kontrolluar mjetet e identifikimit siç është raportuar në media. Thjesht nuk do të ndalim asnjë njeri rrugës, aq më keq t’i shënjestrojmë ata mbi baza racore, fetare apo etnike”.

Ndërsa policia e Victorias ka reaguar duke thënë se “e kuptojmë shumë mirë nivelin e lartë të interesit nga komuniteti dhe shqetësimet që ka shkaktuar kjo vendimmarrje, ndaj dhe kemi vendosur që të mos e përvijojmë gjatë kësaj fundjave”.

Top Channel