Projektet e Shqipërisë në Vjenë dhe financimi i tyre

27/08/2015 00:00

Ministrat e Ekonomisë së vendeve të rajonit u takuan me përfaqësuesit e BE-së për të diskutuar mbi projektet konkrete sidomos në infrastrukturë dhe mekanizmat e financimit të tyre.

Shqipëria u përfaqësua në këtë takim me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili shtjelloi më gjerësisht në një lidhje drejtpërdrejtë telefonike me Top Channel se çfarë u diskutua në tryezë. Ahmetaj i vlerësoi si të suksesshme bisedimet e kryeministrit Rama mbi projektet konkrete rajonale, sidomos sa i takon dy autostradave, asaj Adriatiko-Joniane dhe asaj Durrës-Prishtinë-Nish, për të cilat tha ministri, në shtator do të nisë studimi i fizibilitetit.

“Negociatat e bëra nga kryeministri Rama sa i përket projekteve rajonale, që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, kanë funksionuar dhe në shtator nisin studimet e fizibilitetit për autostradën Adriatiko-Joniane apo ‘Autostrada Blu’, që i referohemi ne e që prek Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Gjithashtu edhe korridori Nish-Prishtinë-Durrës rrit ndërlidhjen me Kosovën dhe Serbinë, por rrit edhe mundësitë e Portit të Durrësit për të qenë një port kyç në rajon”, tha Ahmetaj.

Kostoja e këtyre investimeve tejkalon kapacitetet financiare të qeverive të rajonit, të cilat po përpiqen të reduktojnë borxhin publik. Për këtë në Vjenë janë diskutuar mundësitë që institucionet financiare europiane dhe jo qeveritë e Ballkanit Perëndimor, të marrin përsipër garancitë sovrane për financimin e këtyre projekteve.

“Të gjitha vendet e rajonit i kanë ezauruar kapacitetet financiare. Nuk kanë më mundësi të rrisin borxhin, ndaj është duke u punuar për konceptimin e një instrumenti garancie me BERZH-in dhe me Bankën Europiane të Investimeve, të cilat do të financojnë fizibilitetet për këto korridore. U fol për instrumenta konkretë që buxhetet e vendeve të rajonit të mos ngarkohen me garanci sovrane, por të ketë instrumenta europiane dhe ndërkombëtare të cilat të ofrojnë garanci sovrane”, deklaroi Ahmetaj.

Ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes tha se në samit kryeministri Rama ka hedhur idenë për ngritjen e unionit ekonomik rajonal dhe të Bankës Rajonale të Zhvillimit, ide të mbështetura nga kancelarja Merkel dhe nga institucionet e tjera të BE-së.

Ngritja e unionit ekonomik rajonal synon uljen ose heqjen fare të barrierave tarifore me të cilat vendet e rajonit ngarkojnë biznese të ndryshme që ushtrojnë aktivitetin jo vetëm në një vend. Ahmetaj solli si shembull për t’u ndjekur mekanizmin e aplikuar mes Shqipërisë e Kosovës dhe në shtator i njëjti mekanizëm do të nisë edhe me Serbinë fillimisht e më pas me vendet e tjera të rajonit.

Para nisjes së punimeve të samitit, Ahmetaj mori pjesë në një takim me sipërmarrës ndërkombëtarë. Ai e vlerësoi takimin si të suksesshëm për të kuptuar më mirë shqetësimet dhe fushat e interesit të biznesit.

Top Channel