Clinton: Biden duhet të marrë një vendim të vështirë

27/08/2015 00:00

Hillary Clinton deklaroi se zv/Presidenti, Joe Biden duhet të marrë “një vendim të vështirë” në lidhje me një kandidim të mundshëm për presidencialet e 2016-s, ndërsa u shpreh se do të vazhdojë normalisht me fushatën e saj, pavarësisht fjalëve se do të mund të ketë një tjetër kundërshtar demokrat.

Ish-Zonja e Parë u shpreh se admiron numrin 2 të SHBA-ve, por “dëshiron që ai të marrë vendimin e duhur për veten dhe familjen e tij”, duke pasur parasysh vdekjen e të birit në fillim të këtij viti.

Clinton, e cila mori pjesë në varrimin e Beau Biden, u shpreh se askush nuk mund ta imagjinojë mërzitjen e Joe Biden pas humbjes së djalit.

“Ai duhet të bëjë atë që duhet të bëjë, mendoj se duhet të ketë hapësirën e nevojshme dhe mundësinë që të vendosë se çfarë do. Unë do të vazhdoj normalisht me fushatën time. Gjithnjë kam menduar se kjo do të jetë një fushatë e ashpër, prandaj vazhdoj të kërkoj mbështetjen nga njerëzit. Dhe pavarësisht gjithçkaje, unë do të kandidoj për President te SHBA-ve”, u shpreh Clinton.

Top Channel