Virginia, gazetari ekzekuton dy ish-kolegë dhe më pas vetëvritet

26/08/2015 00:00

Një gazetare dhe kameramani u vranë gjatë një transmetimi live në Virginia të SHBA-ve, nga ish-kolegu i tyre. Pamjet tregojnë gazetaren Alison Parker gjatë një interviste në Moneta’s Bridgewater Plaza, para se të nisnin të shtënat dhe kamera të binte në tokë.

Videoja tregon gjithashtu një person të veshur me të zeza i cili shfaqet me një armë në dorë. Mediat amerikane citojnë guvernatorin e Virginias, i cili tha se mund të jetë një nga ish-punonjësit e pakënaqur të televizionit.

Më vonë policia, bëri të ditur identitetin e autorit të vrasjes së dyfishtë. Ai është Vester Lee Flanagan, i cili njihej edhe si “Bryce Williams”, ish-gazetar i televizionit ku punonin edhe viktimat. Pas vrasjes së dyfishtë, ai e akuzoi gazetaren Alison Parker si raciste, në një postim në profilin e tij në “Twitter”.

Pak orë pas ngjarjes tragjike, Flanagan u vetëvra teksa po ndiqej nga policia në një autostradë.

Televizioni në faqen e tij në “Facebook” shkroi menjëherë pas ngjarjes: “Policia ndodhet në vendngjarje në Bridgewater Plaza në Moneta. Alison Parker, gazetare dhe kameramani Adam Ward, u qëlluan mëngjesin e kësaj të mërkure, ora 06.45 me orën lokale, teksa ishin live me televizionin ku punonin, WDBJ7. Ndërsa gruaja që po intervistohej u plagos dhe është duke marrë ndihmën e nevojshme në spital”.

Top Channel