Nëse punoni ilegalisht në Britani, rrezikoni 6 muaj burg

25/08/2015 00:00

Kush punon ilegalisht në Angli e Uells rrezikon deri në 6 muaj burg, sipas propozimeve të reja që do të përfshihen në projektligjin e emigracionit.

Ky i fundit, që pritet të prezantohet në vjeshtë, parashikon po ashtu masa të ashpra sidomos për rrjetet e kateringut apo biznese të tjera, ku punojnë emigrantë të paligjshëm, teksa masat shkojnë deri në heqje të licencës.

Ministri i Emigracionit, James Brokenshire deklaroi se, qeveria britanike do të vazhdojë të godasë me forcë të gjithë ata që abuzojnë me sistemin.

Përpos gjobave në fuqi, dënimi maksimal për punëdhësit që shpallen fajtorë për punësim të klandestinëve do të shkojë nga dy deri në 5 vite burg.

“Nëse keni hyrë në Britani ilegalisht, atëherë ne do t’iu ndalojmë që të punoni, të merrni me qira një shtëpi, të hapni një llogari bankare ose të drejtoni makinën”, u shpreh Brokenshire.

Së shpejti pritet që të nisë aksioni në të gjithë vendin, për të kontrolluar disa biznese apo pallate dhe për të verifikuar nëse ka emigrantë ilegalë.

Top Channel