Aksioni i pastrimit, shtatë masat e Bashkisë së Tiranës për shkelësit

25/08/2015 00:00

Bashkia e Tiranës ka shpallur shtatë masa, ku përfshihen edhe ndëshkim me gjobë për të mbajtur pastër qytetin. Kreu i bashkisë, Erion Veliaj ka prezantuar këtë plan masash para 24 administratorëe të qytetit. “Aksioni i pastrimit kërkon një periudhë afatgjatë”, tha Veliaj.

Shtatë masat e shpalluar prej Erion Veliajt përfshijnë edhe masa ndëshkuese. Hedhja e mbeturinave në rrugë ose jashtë kontenierëve do të dënohet me 50 mijë lekë.

Kryerja e punimeve pa leje, minimalisht do të gjobitet 5 milionë lekë, dhe shkelësi do të marrë përsipër shpenzimet e prishjes dhe kthimit në gjendjen e mëparshme.

Masa e tretë ka të bëjë me shfrytëzimin e paligjshëm të hapësirave publike. Dënimi për këtë vepër është me 200 mijë lekë gjobë, dhe 3 mijë lekë për çdo metër katror që dikush ia ka marrë publikut.

Vandalizmi me pronën publike, dëmtimet, vjedhja e pusetave, dëmtimi i shtyllave të tensionit etj., do të gjobiten me 200 mijë lekë gjobë nga bashkia.

Ndotja e rrugëve nga automjetet e rënda do të gjobitet me 100 mijë lekë për mjet.

Djegia, dëmtimi apo vjedhja e kontenierëve të plehrave do të dënohet me 200 mijë lekë gjobë për çdo kontenier.

E fundit ndër masat e publikuara nga bashkia është ndëshkimi për ndotjen dhe mospastrimi i ambientit pas aktivitetit tregtar, 50 mijë lekë gjobë.

“Aksioni i pastrimit ka të bëjë me një mentalitet të ri Janë masa për bashkëjetesë dhe disa norma që janë të patolerueshme. Sigurisht një pjesë e kompanive të pastrimit kishin 10 muaj pa paguar, unë besoj se do bëjmë performancë më të mirë falë shtrëngimit dhe insistimit që patëm”, tha Veliaj.

Top Channel