Nga Twitter e Facebook, Rama: Lufta kundër informalitetit mbron të ndershmit dhe vendos rregulla në treg

24/08/2015 00:00

Shqetësimi parësor i shqiptarëve, që iu drejtuan kryeministrit me pyetje përmes rrjeteve sociale, ishte ai i aksionit kundër informalitetit në ekonomi, që Qeveria pritet të nisë në vjeshtë. Pyetjes, nëse edhe kjo nismë do të rëndojë mbi të varfrit, kreu i Qeverisë iu përgjigj me mohim.

Përkundrazi! Kjo është një betejë e jashtëzakonshme në mbrojtje të tyre, të konsumatorit dhe biznesit të ndershëm që paguan taksa”.

Me këtë aksion, kryeministri lidhi edhe përgjigjen e pyetjes se, kur do të rriten pagat.

Pagat do të rriten kur të ulet informaliteti. Kush do rritje page, mos të lërë kupon pa marrë kur blen një mall, apo pi qoftë edhe një kafe”.

Duke nxitur qytetarët të mos pranojnë më të shërbehen pa kupon tatimor, kryeministri tha se nuk do të ketë rimbursim të shpenzimeve mujore, për ata që i dorëzojnë kuponat, pasi shuma do t’iu kthehet qytetarëve në rritje pagash, ulje taksash dhe investime.

Edi Rama kundërshtoi qytetarët e bindur se, çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në rajon e më gjerë.

Ka një perceptim të tillë – tha ai, – për shkak se taksa e qarkullimit në Shqipëri nuk është e ndarë veçmas si në vendet e tjera, por ajo i merret naftës në shitje”.

Shqetësimin për korrupsionin në dogana kryeministri nuk e mbështeti, kur tha se “fenomeni është ulur ndjeshëm”.

Azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani, Rama: Më të shumtët janë shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Kreu i Qeverisë i dha përgjigje edhe një sërë pyetjesh për largimin e shqiptarëve drejt Gjermanisë. Për herë të parë, kryeministri deklaroi se, edhe autoritetet atje janë në dijeni se largimet më të mëdha u përkasin shqiptarëve, që janë emigrantë në Greqi.

E përsëris, shumica e shqiptarëve që ikin në Gjermani janë shqiptarë, që ikin kryesisht nga Greqia por jo vetëm. Sigurisht edhe nga këtu”.

Për të njëjtën çështje shkonte edhe interesimi i një prej anëtarëve të zyrës së shtypit të zotit Basha, kur e pyet kryeministrin se çfarë do t’iu thotë azilantëve në Gjermani nëse i takon ata?

Në Gjermani nuk merr dot azil politik asnjë shqiptar, ndërsa azil ekonomik nuk ka! Prandaj kush e merr atë rrugë vetëm humbet”.

Rama: Do të godasim korrupsionin. Shqipëria s’pranon tutelë greke. Berisha, njeri i padëmshëm tani

Drejtësia zinte gjithashtu një nga çështjet, për të cilat u pyet më shumë kryeministri.

Do ta godasim korrupsionin në drejtësi, siç nuk ia rrok mendja shumëkujt brenda apo jashtë sistemit”.

Kreu i Qeverisë rikonfirmoi sërish, në prag të sesionit të ri parlamentar, se nuk do të ketë ndryshime në qeveri, ndërsa për marrëdhëniet me Ilir Metën deklaroi se “janë më të mira se asnjëherë më parë, qysh se kemi vendosur të qeverisim Shqipërinë së bashku”, – shkruan ai.

Sa për acarimin e marrëdhënieve me Greqinë, pas deklaratës për kishën në Dhërmi, kreu i Qeverisë mbështeti qëndrimin për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

E bënin shpesh në të shkuarën, e bëjnë më rrallë. Duan ende kohë, si duket, që ta kuptojnë se Shqipëria s’pranon më tutelë”.

Konferenca e drejtpërdrejtë e kreut të Qeverisë në rrjetet sociale përkoi me atë të paraardhësit të tij për mediat, çka nuk doli jashtë vëmendjes së pyetjeve të qytetarëve për protagonizmin e theksuar të ish-kryeministrit Berisha.

Mos u qani kot, flet e flet, po dëm s’bën dot më. Mund të qeshni po patët nge, ose mund ta avulloni me një sustë në telekomandë”.

Top Channel