Reforma në drejtësi, Xhafaj: Korrupsioni do të hetohet nga një prokurori e posaçme

21/08/2015 00:00

“Ajo që mund të them është që do të ketë ndryshime kushtetuese”. Me këtë pohim, kryetari i komisionit të reformës në drejtësi, zoti Fatmir Xhafaj konfirmon ndërhyrjen në ligjin themeltar të shtetit për ndryshimin radikal në sistemin aktual të drejtësisë, duke nisur që nga kompetencat që kreu i shtetit do të ketë në gjyqësor. Pavarësisht nga fakti nëse presidenti do të jetë i zgjedhur me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar, do të përcaktohen edhe kompetencat e tij në gjyqësor.

Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë e përcaktuar gjithashtu nga Kushtetuta, sikundër çështjet e korrupsionit do të shqyrtohen nga një prokurori dhe gjykatë antikorrupsioni të posaçme. Janë disa nga elementët që do të përmbajë reforma, ndërkohë që Kushtetuta do të ndryshojë edhe për çështje të tjera që nuk lidhen me reformën në drejtësi.

“Çështja e mprehtë e ditës, që ka kapur një diskutim të konsiderueshëm, jo vetëm politik, ajo që ka të bëjë me dekriminalizimin. Janë çështje që lidhen me procesin tashmë faktik të qënies sonë anëtar në NATO dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo anëtarësi apo detyrime të pritshme në kuadër të anëtarësimit të vendit në BE dhe elementë të tjerë që mund të kenë nevojë për tu gjykuar për të pasur ndryshime kushtetuese… Më së paku do të duhej që politikla e të dy krahëve të bënte një ‘mea culpa’ për atë çfarë është sot. Gjendja që është sot në sistemin e drejtësisë është përgjegjësi e të gjithëve, shkalla e përgjegjësisë është e parëndësishme”, tha Xhafaj.

Deklaratës jo pak të rëndë të kreut të shtetit se reforma në drejtësi po bëhet nga militantë politikë, kreu i komisionit të reformës nuk i përgjigjet me të njëjtën gjuhë.

“Nuk jam dakord në shumë çështje që ka trajtuar dhe në gjuhën e përdorur për misionin e tij kushtetues, dhe nuk besoj se është punë të merresh me Presidentin e Republikës”, tha Xhafaj.

Nuk ka përplasje mes PS dhe LSI komenton kreu i komisionit të ligjeve: “Ka nevojë për më shumë përgjegjshmëri në këtë bashkëqeverisje në sensin e raporteve dhe brenda koalicionit. Nuk më duket serioze që shumë gjëra të trajtohen nëpërmejt deklaratave, intervistave apo Facebook, kur ata që janë drejtuesit politikë të këtij koalicioni, këtu nuk flas vetëm në nivelin e dy bashkëdrejtuesve po dhe të strukturave të tjera të koalicionit, të mund të ulen dhe të trajtojnë çështje që janë të rëndësishme për vlerat e këtij koalicioni qeverisës”.

Top Channel