Autobusi bie në lumin Sena pas gabimit të shoferit praktikant, shpëtojnë të gjithë pasagjerët
Në një kohë kur Gjermania pritet të ketë deri në fund të vitit 800 mijë azilkërkues në territorin e saj, cila është sasia respektive e tyre që duhet të marrin vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian për t’u bashkëndarë me të përgjegjësitë?
Ky është titulli i artikullit të britanikes “the Guardian”, sipas së cilës numri i azilkërkuesve, që është bërë publik nga ministri i Brendshëm Thomas De Maiziere, korrespondon me afro 1% të popullatës së vendit.
Kaq është edhe sasia, që duhet të pranojë secili vend anëtar për t’iu afruar Gjermanisë. Nga të dhënat zyrtare të vitit 2014 – vijon artikulli, – vetëm Suedia i afrohet kësaj shifre nga të 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Por gjithsesi – thuhet më tej, – numri i azilkërkuesve nuk nënkupton që është i njëjtë me atë të refugjatëve, që u jepet e drejta të jetojnë në vend. Kjo sepse, nga numri i azilkërkuesve gjatë vitit të kaluar në mbarë unionin, vetëm 45 për qind u pranuan dhe këtu e para renditet Suedia, që pranoi 77% të tyre, krahasuar me vetëm 42%, që pranoi shteti gjerman.
Gjatë muajit korrik, Gjermania ka marrë 37.531 kërkesa për azil – shkruan artikulli, – një rritje prej 93% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Pavarësisht se numrin më të madh të kërkesave në mbarë Europën e përbëjnë ata që u largohen konflikteve dhe varfërisë në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, një sasi tjetër sërish e lartë u përket vendeve të tjera.
40% e aplikimeve në Gjermani gjatë muajit të shkuar – shkruan “the Guardian”, – u përket azilkërkuesve që vijnë nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi.
Gjithsesi – mbyllet artikulli, – vendet europiane nuk i janë përmbajtur premtimit për të marrë gjithsecili nga 40 mijë emigrantë në territoret e tyre, por janë mbyllur në shuma të vogla që nuk i afrohen 1% të popullatës.
Bazuar në këtë algoritëm, Britania e Madhe ka pranuar vetëm 0.003% dhe përbën vendin e dytë që ka pranuar më pak, pas Hungarisë, që ka refuzuar të presë refugjatë. Edhe më pak madje, sesa vende më të vogla si Luksemburgu, që ka pranuar 0.064%, Qipro me 0.028% dhe Irlanda me 0.024%.
Top Channel