Ekspertët e katër partive kryesore në Shkup po vijojnë bisedimet për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit në praktik, por pa dhënë detaje për rrjedhën e negociatave.

Analistët në Maqedoni thonë se procesi për përmbushjen e obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje do të hasë në shumë pengesa që sipas tyre, do të imponohen nga pushteti.

“Vullneti politik i manifestuar nga VMRO-DPMNE-ja, por edhe BDI-ja tregon se këto dy parti nuk janë deri në fund të bindura se kjo marrëveshje duhet të zbatohet. Në këtë drejtim duhet thënë se marrëveshje do të hasë në dy pika kontestuese mes pushtetit dhe opozitës. Çështja e parë është votimi i diasporës, përkatësisht zgjedhja e tre deputetëve të diasporës dhe çështja e dytë është ajo e prokurorit special”, është shprehur Sefer Tahiri, analist.

Përfaqësuesit e partive politike po bëjnë përpjekje të gjejnë gjuhën e përbashkët për pastrimin e listës zgjedhore, mënyrën e votimit të diasporës dhe kompetencat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Po ashtu, është hapur edhe tema për zgjedhjen e prokurorit special që do të hetojë aferën e përgjimeve. Sipas analistëve afatet e përcaktuara në marrëveshje për përmbushjen e këtyre obligimeve janë shumë të shkurta.

“Edhe marrëveshja e 2 qershorit, njëjtë sikurse të gjitha marrëveshjet e tjera politike në Maqedoni, do të përfundojë vetëm si marrëveshje në letër. Palët pjesëmarrëse në bisedime nuk janë shumë të interesuara që të plotësohet kjo marrëveshje, pasi në vend që të punonin për t’u përmbushur pikat e marrëveshjes sa më parë, meqë koha është shumë e shkurtër, ata morën më shumë se dy javë pushim. Po ashtu, mendoj se deri tani nga bisedimet nuk është arritur asnjë rezultat”, deklaroi gazetarja Anila Limani.

Ndryshimet që parashikohen me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, duhet të bëhen pjesë e legjislacionit të vendit deri në muajin janar, për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

Analistët thonë se nëse marrëveshja nuk zbatohet, Maqedonia do të rrezikojë të humb statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Top Channel