Gjermani, përleshje në kampin e emigrantëve për shkak të fesë; 17 të plagosur

20/08/2015 00:00

17 të lënduar është bilanci i përleshjeve në një kamp emigrantësh në Gjermani. Ngjarja ndodhi në qytetin e Suhlit, në Gjermaninë Qendrore.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, gjithçka nisi kur një i ri nga Afganistani i provokoi të pranishmit duke ofenduar fenë islame e madje duke grisur disa fletë nga libri i Kuranit, e tentoi t’i hidhte ato në tualet.

Kaq ka mjaftuar, që turma e të pranishmëve aty të suleshin për ta vrarë. Djali ka shpëtuar vetëm falë ndërhyrjes së forcave të rendit, që ndodheshin në kamp dhe tani strehohet në rajonin e policisë.

Si pasojë e ndihmës, ka nisur një përleshje me turmën, që ka filluar të hedhë gurë e mjete të forta në drejtim të forcave të rendit. Të plagosur kanë mbetur 6 policë dhe 11 refugjatë të përfshirë në përleshje.

Ministri i Emigracionit, Dieter Lauinger bëri me dije gjatë një deklarate për shtyp se, ngjarja e ndodhur natën e së mërkurës nuk kishte të bënte me kushtet e jetesës së refugjatëve, të cilët jetojnë në një ambient që është projektuar të strehojë 1200 të tillë, kur të regjistruar në të janë 1800 persona.

Kryeministri i landit të Thuringias, Bodo Ramelow u tha mediave se, diçka e tillë vjen si pasojë e përzierjes në një ambient të përbashkët të njerëzve me kombësi të ndryshme.

“Veprimi i të riut, patjetër që do të ngjallte trazira, duke pasur parasysh që të strehuarit aty janë të gjithë me prejardhje myslimane”, shtoi ai.

Fluksi i azilkërkuesve në Gjermani ka sjellë mjaft trazira nëpër hostelet e vendit gjatë ditëve të fundit. Në fillim të javës, mbështetësit e lëvizjes së krahut të djathtë të quajtur “Thuegida” marshuan në rrugët e qytetit, si pjesë e fushatës “kundër islamizimit”.

Top Channel