Basha: Po falimentojnë biznesin e vogël, për të favorizuar oligarkët e tyre

20/08/2015 00:00

Aksioni i vjeshtës, i paralajmëruar nga kryeministri Rama kundër informalitetit në ekonomi, është konsideruar nga kryetari i demokratëve Basha, si amnistia e vjedhjes në tatime dhe dogana të 160 milionë dollarëve.

Ndërsa të gjithë shqiptarët prisnin – sipas tij, – ndëshkimin e përgjegjësve për dështimin e mbledhjes së të ardhurave, kryeministri – tha ai, – po i jep një tjetër zgjidhje.

“Zgjidhja e Edi Ramës është të mbushë gropën e madhe të krimit në dogana dhe në tatime duke goditur biznesin e vogël, sipërmarrësit e zakonshëm dhe të ndershëm, që tashmë i ka çuar buzë falimentimit me politikat e tij të taksave të larta, kërbaçit dhe korrupsionit”, u shpreh kreu i opozitës, Basha.

Lulzim Basha bëri një parashikim për një situatë edhe më të zymtë të ekonomisë së vendit. Pas dyfishimit të taksave dhe tatimeve për biznesin – sipas tij, – aksioni i paralajmëruar nuk është as më shumë e as më pak falimentim i qindra bizneseve të vogla.

“Klientela e qeverisë favorizohet, ndërsa pjesa tjetër e biznesit të vogël dhe të mesëm është përballë dy alternativave: të mbushë xhepat e zyrtarëve me ryshfet, ose t’i vendosë drynin biznesit e ta mbyllë, duke flakur në mes të rrugëve si të papunë qindra e mijëra familjarë. Pra të ulin traun e doganave për klientët dhe të ngrejnë kërbaçin për ata që mezi mbajnë familjet me bukë, sepse Edi Ramës nuk ia ndien për shqiptarët që zhyten në borxhe për bukën e gojës, për faturat e energjisë, madje edhe për të nxjerrë pasaportat e kurbetit”, deklaroi më tej Basha.

Por, për kreun e demokratëve është e kuptueshme përse po ndëshkohen të varfërit dhe po favorizohen ata, që ai i quan klientët e qeverisë. Sipas tij, Edi Rama është peng dhe bashkëpunëtor i klaneve mafioze, çka – sipas Bashës, – janë ata që diktojnë vendimmarrjet e kryeministrit. Ndërsa shprehu mungesën e shpresës për reflektim të qeverisë, Lulzim Basha foli për një plan të Partisë Demokratike.

“Kjo kërkon vendime të vështira, por unë, Partia Demokratike dhe opozita, bashkë me qytetarët e vendit jemi gati për t’i marrë këto vendime: Pastrimin e menjëhershëm të qeverisjes nga krimi; vendosjen e taksës së sheshtë më të ultën në Ballkan; transparencë dhe luftë pa kompromis kundër korrupsionit; barazi para ligjit dhe konkurrencë të ndershme. Por më parë dhe mbi të gjitha, pastrimin e menjëhershëm të qeverisjes nga krimi”, tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Top Channel