Rezonanca magnetike, pacientët në QSUT dhe dy spitale rajonale

18/08/2015 00:00

Për të bërë një rezonancë magnetike në shërbimin shëndetësor publik, një ezkaminim i detajuar i trupit apo i pjesëve të veçanta, pacientëve deri me tani u është dashur të presin radhën deri në tre muaj. Në rast të kundërt duhet ta kryenin në spitalet jo publike kundrejt çmimeve të larta.

“Djalin kam për rezonancë. Kemi 4 muaj që kemi bërë”, thotë nëna e një pacienti.

“Që në maj kam marrë datën dhe pres akoma”, thotë një tjetër.

Për të kryer një rezonancë magnetike pacienti i siguruar paraqitet me rekomandimin e mjekut në drejtorinë shërbimit dhe kontrollit spitalor ku i caktohet data se kur mund ta marrë këtë shërbim. Në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” janë të instaluara dy pajisje të tilla të cilat tanimë do të funksionojnë me orar të zgjatur. Ndërkohë që një rezonancë e re është instaluar edhe në shërbimin e Traumës.
 
“Ky shërbim do të ofrohet nga e hëna deri ditën e shtunë, ndërkohë që deri më tani është ofruar nga e hëna në të premte. Orari i kryerjes së rezonancës magnetike do të shtyhet deri në orën 18.00. Gjithashtu për herë të parë gjatë muajit korrik është vendosur në punë pajisja e re e rezonancës magnetike në spitalin universitar të Traumës. De facto koha në të cilën kryhet rezonanca magnetike është dyfishuar”, thotë Kristi Xhunga, Drejtoria e Kontrollit Spitalor, FSDKSH.

Sipas drejtorit Xhunga koha e pritjes se pacientëve nuk do të jetë me tre muaj, pasi do të bëhet një shpërndarje e pacientëve edhe në dy spitalet rajonale të Durrësit dhe Vlorës të cilët ofrojnë këtë shërbim.

“Në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” do të kryejnë rezonancë magnetike pacientët e rajonit të Tiranës, Korçës dhe Elbasanit. Në spitalin universitar të Traumës do të kryejnë rezonancë magnetike, pacientët e rajonit të Shkodrës, Dibrës dhe Kukësit. Në spitalin Rajonal të Vlorës do të kryejnë rezonancë magnetike, pacientët e rajonit të Vlorës, Gjirokastrës dhe të Fierit. Dhe në spitalin rajonal të Durrësit do të kryejnë rezonancë magnetike pacientët e rajonit të Durrësit, Lezhës, Beratit dhe Lushnjës. Për pacientët që do të duhet të udhëtojnë të kryejnë ekzaminimin do të planifikohet në orarin 10.00- 14.00″, vijon Xhunga.

Kjo shpërdarje e pacientëve pritet të reduktojë jo vetëm kohën e pritjes për të marrë këtë shërbim, por të lehtësojë edhe pacientët, të cilët kanë nevojë të kryejnë një rezonancë magnetike.

Top Channel