Rama paralajmëron Europën: Lodhja nga zgjerimi rrezikon paqen

18/08/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Europën se, lodhja nga zgjerimi do të kishte ndikim për paqen në Ballkan. Këtë paralajmërim shefi i qeverisë shqiptare e bëri në revistën “Newsweek”.

E përjavshmja amerikane, një nga më të mëdhatë, i kushtoi një shkrim Edi Ramës, duke u fokusuar tek mënyra si ai ka tërhequr vëmendjen e homologëve ndërkombëtarë, tek sfidat që ai ka për vendin dhe rolin në Ballkan.

Paragrafi i fundit i shkrimit është ai që bie më shumë në sy, për shkak se kryeministri shprehet “pa doreza”, kur thotë se “Europa duhet të bëjë më shumë për të mirëpritur kombet e Ballkanit”.

“Sot, ne kemi një paqe në rajon, të cilën nuk e kemi pasur kurrë në histori”, ka thënë  Rama për “Newsweek”, i vetëdijshëm se, siç thotë ai, “ne nuk jemi engjëj dhe as nuk kemi për të qenë ndonjëherë, por se kjo paqe është rezultat i aspiratës së të gjithë popujve në këtë zonë, për të qenë pjesë e Europës”.

Pa e çuar më tej idenë e tij, kryeministri i Shqipërisë i tha të përjavshmes amerikane që “nëse Europa do të vazhdojë të tregojë lodhje nga zgjerimi, atëherë ajo rrezikon që ta shohë këtë rajon të lodhur nga durimi. Nëse durimi merr fund, Ballkani gjithmonë do të identifikohet me gjakderdhje”, është shprehur Rama, i cili nuk e ka përfunduar me kaq paralajmërimin e tij.

“Ta lësh Ballkanin dhe besimet e tij të ndryshme fetare të shpërbëhen, kjo do të ishte një tragjedi për çdonjërin prej nesh”, thotë kryeministri Edi Rama për “Newssweek”.

Top Channel