Mbi 650 mijë refugjatë brenda një viti në Gjermani

18/08/2015 00:00

Nga 450.000 që ishin parashikimet e deritanishme, Gjermania pritet ta rrisë në 650.000 numrin e refugjatëve që do të mbërrijne atje në fund të këtij viti.

Duke cituar burime qeveritare, gazeta “Handelsblatt” thotë se këtë prognozë shumë shpejt do ta bëjë publike ministri i Brendshëm Federal, Thomas de Maiziere, i cili mbase dhe e kapërcen këtë shifër duke folur deri për 750.000 azilkërkues.

Sipas gazetës, sondazhi i zhvilluar me qeveritë e landeve federale tregon se numri i refugjatëve është rritur përsëri ndjeshëm gjatë verës. Duke sjellë si shembull Hamburgun, ajo shkruan se në këtë qytet kanë kërkuar azil gjatë tremujorit të parë të vitit rreth 6.700 vetë, ndërsa për tremujorin e dytë, shifra është mbi 7.300;  5.700 prej këtyre aplikimeve janë depozituar vetëm gjatë muajit korrik. E ngjashme paraqitet situata edhe në landin e Baden-Ëürttembergut, ku po muajin e kaluar u paraqiten 7,065 kërkesa për azil, dyfishi i numrit të regjistruar në maj.

Nisur nga gjendja e krijuar prej valës gjithmonë në rritje të njerëzve që kërkojnë strehim në Europë, shumë nga të cilët i largohen konflikteve dhe varfërisë në Lindjen e Mesme e Afrikë, Kombet e Bashkuara u bënë thirrje të gjitha shteteve europiane të japin ndihmën e tyre.

Duhet ta mbështesim përgjegjësinë në më shumë supe në Europë, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres. Nëse do të mendojmë për periudhë afatgjatë, shton ai, është praktikisht e pamundur që vetëm dy vende të bllokut të përballojnë pjesën më të madhe të fluksit të të mbërriturve me struktura efikase azili.

Guterres kujton se të gjitha shtetet e Kontinetit të Vjetër kanë një detyrim moral për t’i mirëpritur këta njerëz, ashtu siç kanë edhe një detyrim të qartë ligjor për t’u ofruar mbrojtje. Vitin e kaluar, sipas regjistrimeve të OKB-së, drejt Europës kanë vërshuar më shumë refugjatë se kurrë më parë.

Top Channel