Protestat në Itali/ 9 të arrestuar, 371 të shoqëruar në komisariat, 110 prej tyre të mitur Të paktën 107 mijë refugjatë kanë hyrë në kontinentin europian vetëm gjatë muajit korrik, duke kaluar çdo rekord të arritur deri më sot. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e kontrollit kufitar të vendeve europiane “Frontex”, e cila bëri me dije se numri i të ardhurve gjatë muajit të kaluar kalonte edhe fluksin e mbi 70 mijë refugjatëve të ardhur gjatë qershorit dhe përbën një shifër 3 herë më të madhe, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pjesa më e madhe e refugjatëve u përket vendeve si Siria dhe Afganistani, bëri me dije gjatë konferencës për shtyp drejtori ekzekutiv i “Frontex”, Fabrice Leggeri, sipas të cilit shumica ka ardhur në Europë nëpërmjet Turqisë për në Greqi. Kjo është një situatë emergjence – shtoi ai, – që kërkon vëmendjen e të gjithë vendeve të unionit, të cilët duhet të tregojnë më tepër mbështetje për autoritetet e vendeve që po përballen me këtë situatë.
Sipas “Frontex”, kufinjtë më aktive ishin ato të ishujve grekë pranë Turqisë, prurjet e të cilëve numërojnë 50 mijë emigrantë të ardhur në Lesbos, Hios, Samos dhe Kos. Por nuk mund të mos përmendet edhe Italia, me kanalin e Siçilisë, me emigrantë që vinin kryesisht nga Eritrea dhe Nigeria, ashtu sikurse edhe Hungaria, prurjet e së cilës i përkasin vendeve të Ballkanit, gjë që detyroi autoritetet e vendit të shtonin kontrollet e të ndërtonin madje edhe një mur në kufi për t’i ndaluar.
Në total, të dhënat numërojnë afro 340 mijë emigrantë të futur në vendet e unionit, kryesisht nga Italia, Greqia dhe Hungaria gjatë 2015-s, që përbëjnë 175% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku numëroheshin 280 mijë të ardhur.
Top Channel