Fier, USAID mbështet projektin për bujqësinë në një shkollë profesionale

18/08/2015 00:00

Rreth 18 hektarë tokë bujqësore, e cila është pjesë e shkollës së mesme bujqësore rajonale “Rakip Kryeziu”, do të shërbejë për prodhimin e fidanëve të pemëve dekorative.

Projekti i përbashkët mes Drejtorisë së shkollës “Rakip Kryeziu” dhe Bashkisë së Fierit, me mbështetjen edhe të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të mbështetet gjithashtu nga ana e USAID-it.

Ky projekt i është dorëzuar drejtorit të Përgjithshëm të USAID për Shqipërinë, Marcus Jonson, prej kryetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, gjatë vizitës së kryer në këtë shkollë gjatë ditës së martë. Në takim kanë marrë pjesë stafi i kryebashkiakut Subashi, përfaqësues të USAID dhe Drejtorisë së shkollës, specialistë të bujqësisë etj.

Drejtori i Përgjithshëm Jonson tha se, projekte të tilla duhen mbështetur dhe inkurajuar, ndërsa kryetari i Bashkisë, Subashi u shpreh se, të tjera projekte do të investohen sidomos në fushën e bujqësisë në Fier.

Shkolla e mesme bujqësore rajonale “Rakip Kryeziu” është e vetmja shkolllë në rajon, e profilizuar për të nxjerrë specialistë në fushën e bujqësisë dhe jo vetëm.

Drejtori i USAID-it dhe kreu i Bashkisë së Fierit premtuan se, nëpërmjet bashkëpunimit me këtë shkollë do të punohet për nxitje të ideve të nxënësve në shërbim të mjedisit dhe komunitetit.

Projekti është një prej premtimeve të kryebashkiakut Subashi gjatë fushatës së tij elektorale, të fokusuar kryesisht për prodhimin e fidanëve me kosto zero për gjelbërimin e mjedisit.

Top Channel