Të gjithë kundër Corbyn, mik i Hamasit dhe Hezbollahut, që në 2004 mohoi genocidin në Kosovë

17/08/2015 00:00

Ish-ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, i cili humbi për një grusht votash betejën për kreun e laburistëve përballë vëllait të tij, Ed, paralajmëroi se zgjedhja e Jeremy Corbyn në krye të kësaj partie do të ishte të mbante për një kohë të gjatë konservatorët në pushtet.

Laburistët do të zgjedhin drejtuesin e tyre të ri pas dorëheqjes së Ed Miliband, që pasoi zgjedhjet e fundit parlamentare, ku konservatorët e drejtuar nga Cameron fituan një tjetër mandat dhe me diferencë përtej pritshmërive.

Jeremy Corbyn shihet si kandidati favorit, të paktën deri më tani. Idetë e tij për drejtimin e shtetit shihen si ‘revolucionare’ nga disa dhe kritikohen fort nga disa të tjerë. Corbyn ka hedhur idenë e shtetëzimit të disa sektorëve të ekonomisë dhe industrisë, rritjen e taksave për ata që fitojnë më shumë se 50 mijë paund në vit dhe rishikimin e pozicionit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian.

Pikërisht këto tri qëndrime janë kritikuar fort nga David MIliband, i cili tha se nëse Corbyn merr kryesimin e partisë, atëherë Britania e Madhe rrezikon të shndërrohet në një parti-shtet, por jo me laburistët në pushtet, por me konservatorët që do të vazhdojnë të votohen falë dobësisë së opozitës.

Valë kritikash ndaj kandidatit Corbyn kanë shpërthyer lidhur edhe me qëndrimet e tij në politikën e jashtme. Ai ka përshkruar si “miq” qeverinë e Venezuelës, Hamasin dhe Hezbollahun, ndërsa në vitin 2004 ishte njëri prej mbështetësve më të zellshëm të një mocioni parlamentar, ku dënohej ndërhyrja e NATO-së në Serbi për genocidin e Beogradit në Kosovë.

Në mocion dënohej ajo që Corbyn dhe mbështetësit e tij e quanin ‘ndërhyrje humanitare për të pushtuar Kosovën’ pa një mandat nga OKB, si justifikim për të ndalur një genocid, që sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë.

Edhe ish-kryeministrat Tony Blair dhe Gordon Broën kanë paralajmëruar rrezikun që u kanoset laburistëve nëse zgjedhin Corbyn.

Top Channel