Rusi, rubla shënon rënien më të fortë. Vendi, në vështirësi ekonomike

17/08/2015 00:00

Rusia duket se po futet në një labirint pa krye, me ekonominë e saj aspak të qëndrueshme. Ky është përfundimi i disa artikujve të mediave të huaja, mbi vendin e mbytur nga sanksionet dhe nga rruga e vështirë ekonomike që po kalon bota.

Monedha vendase rubla ka shënuar një tjetër rënie të thellë gjashtëmujorin e fundit, krahasuar me dollarin amerikan. Sipas tregjeve, të hënën, një dollar amerikan këmbehej me 65.7 rubla, duke shënuar kështu rënien më të thellë ndonjëherë kundrejt monedhës amerikane.

Banka Qendrore e Rusisë ndaloi së bleri rezerva të huaja në muajin korrik, duke shkaktuar një rënie tjetër prej 12% brenda një muaji, krahasuar me 44,8% që kishte humbur gjatë vitit të shkuar, shkruan CNN. Dhe kjo gjë, sipas gjigantit mediatik amerikan, ka ardhur si rrjedhojë e uljes së çmimit të naftës në bursë, pasi rreth gjysma e të ardhurave të qeverisë ruse varet nga industria e naftës.

Hamendësimit të qeverisë së Kievit, se nafta e saj mund të shitej mbi 50 dollarë për fuçi, nuk iu përputh çmimi i tregut, që sot shënoi 42 dollarë për fuçi, krahasuar me 115 që ishte verën e një viti më parë.

Por, qershia mbi tortë – vijon CNN, – janë sanksionet e Perëndimit, me të cilat po përballet vendi, vendosur ndaj Moskës pas rolit të saj në krizën e Ukrainës. Këto dy elementë duket se e kanë futur vendin në një recesion të thellë, të parin që prej vitit 2009.

Ekonomia ruse u tkurr me 4.6% vetëm gjatë tremujorit të dytë, rënia më e madhe që prej fillimit të krizës financiare. Ekspertët e Fondit Monetar, nga ana tjetër, parashikojnë një rënie tjetër deri në fund të vitit, prej 3.4%, dhe prej më shumë se 1% gjatë vitit 2016, ku ulja e pagave, kosto më e madhe e huamarrjes dhe besueshmëria në rënie priten të godasin kërkesën e brendshme.

Nga ana tjetër, embargoja e vendosur nga Rusia ndaj produkteve ushqimore me prejardhje nga Perëndimi, ndër të cilat edhe vendi ynë, ka çuar në rritjen e inflacionit, i cili në korrik kapi vlerën e 16%.

Top Channel