Gjevgjelia, qyteti jugor i Maqedonisë që ndodhet pranë vendkalimit kufitar me Greqinë, ka muaj që është bërë hapësirë e skenave tragjike në të cilat aktorë janë refugjatët që synojnë Perëndimin.
Ndërkohë që bota perëndimore i mbyll dyert për të ardhurit e paftuar, Ballkani gjithnjë e më tepër po bëhet urë kaluese për ata që duan t’i shpëtojnë luftës apo varfërisë.
Emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore e kanë kuptuar se Ballkani është “barku” i Europës dhe Maqedonia, “kërthiza” e ndjeshme e tij.
Kështu që numri i emigrantëve që hyjnë në Maqedoni, nga dita në ditë është në rritje.
Aktivistët humanitarë që ndodhën në terren thonë se më parë gjatë ditës, në Maqedoni hynin rreth 600 – 700 emigrantë, ndërsa tani ky numër arrin deri në 2 mijë emigrantë.
Rruga e tyre e shpëtimit për në vendet e zhvilluara të Europës është shumë e vështirë.
Pritësit e refugjatëve të ardhur deri te dera hyrëse e Maqedonisë në Gjevgjeli, janë aktivistët e organizatave humanitare, të cilët mundohen që t’ua lehtësojnë vuajtjen për rrugën pa kthim për ta shpëtuar vetveten.
Qyteti jugor maqedon është edhe pasqyrë ku shihet njëra nga skenat e shumta tragjike të shpërnguljes së madhe të popujve të shekullit 21.
Top Channel