Takimi Obama-Xi, Kina kërkon të mos diskutohet për të drejtat e njeriut

15/08/2015 00:00

Zyrtari i lartë në Ministrinë e Jashtme kineze, Li Junhua, i cili edhe është duke kryesuar delegacionin e vendit të tij në bisedimet me SHBA-të për çështjen e të drejtave të njeriut, ka thënë se kjo temë nuk duhet të mbizotërojë takimin mes krerëve të dy vendeve muajin e ardhshëm.

“Dua të theksoj se Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë pika ku bashkohen, por ka më shumë pika ku ndahen sa i përket të drejtave të njeriut. Por, kjo temë nuk duhet të mbizotërojë në takime, duhet të shohim më gjerë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, zyrtari amerikan për të drejtat e njeriut, Tom Malinowksi, u shpreh se Kina duhet të bëjë më shumë në lidhje me këtë çështje, nëse dëshiron që edhe takimi mes Obamas dhe Xi të jetë një sukses.

Malinowksi ka ngritur si çështje për diskutim edhe arrestimin e 50 avokatëve dhe aktivistëve muajin e kaluar, gjë që është mohuar nga Li në konferencën për shtyp.

“Aktualisht vetëm 20 avokatë janë arrestuar sepse nuk kanë respektuar ligjet e vendit”, u shpreh ai, që ka njoftuar se në Kinë janë mbi 270 mijë avokatë.

Top Channel