Dhuna ndëretnike, të dëmtuarit: Ekzistojnë kamerat e MB-së. Të gjenden agresorët

12/08/2015 00:00

Huliganët, që sulmuan dhjetëra shqiptarë në Shkup disa ditë më parë, ndodhen ende në liri. Policia nuk ka mundur ende të identifikojë apo të kapë autorët, që rrahën barbarisht disa të rinj shqiptarë, mbrëmjen e së dielës në Shkup.

Viktimat, që pësuan dëmtime në këtë incident, thonë se vendi ku ka ndodhur sulmi vëzhgohet 24 orë nga kamerat e Ministrisë së Brendshme dhe kjo – sipas tyre, – e bën më të lehtë zbulimin e autorëve.

Të mërkurën, ata i janë drejtuar njërit prej komisariateve të Policisë në Shkup, për t’u interesuar për rrjedhën e hetimeve dhe për të kërkuar zbardhjen e plotë të këtij rasti, sa më parë.

“Normal që kemi dhimbje, te veshi dhe te krahu, ku më kanë goditur me shufër hekuri. Jam në një gjendje katastrofe, s’jam aspak mirë. Jemi duke shkuar në polici, për të marrë informacione për sulmuesit, nëse i kanë zbuluar apo jo. Kamera ka pasur dhe ka gjithmonë në qendër. Normalisht ata persona duhet të gjenden se kush kanë qenë”, tha Burhan Ismaili, banor i Shkupit, viktimë në sulmin e së dielës.

Duke komentuar sulmet ndaj shqiptarëve në Shkup dhe veprimin e ngadaltë të institucioneve për zbardhjen e këtyre rasteve, shumica e analistëve shqiptarë në Maqedoni janë të mendimit se, autorët e këtyre incidenteve janë të mbrojtur nga pushteti, i cili – sipas tyre, – i organizon vetë këto sulme.

“Çdo vonesë e zbulimit të këtij rasti apo të të tjerave, krijon hapësirë për dyshime se incidenti mund të ketë ndonjë prapavijë tjetër, dhe se shkaktarët e këtij incidenti po mbrohen prej dikujt”, tha Isen Saliu, gazetar.

Ndërkohë, të martën rreth mesnate ka ndodhur tjetër një incident, ku janë sulmuar dy të rinj maqedonas nga disa persona të panjohur. Analistët apelojnë që të parandalohen incidentet ndëretnike, që po përkeqësojnë gjithnjë e më tepër raportet midis maqedonasve dhe shqiptarëve.

Top Channel