BE: Shtimi i luftimeve në Ukrainë shkelin marrëveshjen e Minskut

12/08/2015 00:00

Bashkimi Europian ka bërë të ditur se sulmet e përshkallëzuara në zonat e kontrolluara prej forcave qeveritare të Kievit, në lindje të Ukrainës, shkelin marrëveshjen e paqes së nënshkruar në shkurt me separatistët prorusë.

“Marrëveshja e Minskut duhet të implementohet në besim të plotë, duke nisur me mbikëqyrjen tërësore të armëpushimit dhe tërheqjen reale të armatimeve të rënda”, thuhej në një deklaratë të BE-së.

Ukraina akuzoi rebelët gjatë së hënës se kishin ndërmarrë bombardimet më të rënda që prej arritjes së armëpushimit. Dhe, si gjithmonë, Rusia ka mohuar të ketë ndonjë rol në këto luftime.

Gjithsesi, Ukraina dhe Perëndimi kanë bërë të ditur se po shtohen gjithnjë e më shumë provat, që të çojnë në një përfshirje të drejtpërdrejtë të Moskës në krizën ukrainase.

Udhëheqësit e rebelëve kanë mohuar të kenë qëlluar ndaj pozicioneve ukrainase dhe akuzojnë forcat qeveritare se kanë shkelur armëpushimin në rreth 40 raste gjatë 24 orëve të fundit.

Skenë e luftimeve më të ashpra ka qenë fshati Starohnativka, 50 km në veri të qytetit strategjik portual të Mariupolit. Ukraina deklaroi se forcat proruse kanë nisur një sërë sulmesh ndaj një sërë vendndodhjesh të ukrainasve gjatë së hënës dhe së martës.

“Përshkallëzimi i fundit i konfliktit, i cili po shton edhe më shumë numrin e viktimave si pasojë e sulmeve ndaj disa prej zonave të kontrolluara prej qeveritarëve, gjatë ditës së sotme por edhe natës së 10 gushtit në Starohnativka, shkel frymën pozitive të letrës së nënshkruar të quajtur marrëveshja e Minskut”, thuhej në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së, gjatë orëve të vona të së martës.

Në këtë deklaratë, BE-ja dënoi edhe sulmin me zjarrvënie gjatë së dielës ndaj mjeteve të blinduara që u përkisnin monitoruesve nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE/OSCE), ashtu sikurse dhe faktin që monitoruesit kanë rënë pre e të shtënave në Shchastya të Luhanskut dhe Shyrokyne të Mariupolit.

Top Channel