Basha: Gjendja në vend, alarmante. S’ka koalicion as me Ramën, as me Metën

12/08/2015 00:00

“Gjendja është alarmante dhe pa perspektivë me këtë qeveri”. Në këtë përfundim Lulzim Basha shpreson që të dalin sa më shpejt edhe shqiptarët, në mënyrë që t’i bashkohen opozitës në alternativën e saj për një qeverisje me taksa të ulëta, larg korrupsionit dhe në shërbim të qytetarëve.

Sipas Bashës, vendimi i fundit i qeverisë për të shkurtuar buxhetin për shkak se mungojnë më shumë se 130 milionë dollarë nga korrupsioni dhe kontrabanda është dëshmia e keqqeverisjes dyvjeçare.

“Akti normativ është legalizimi i vjedhjes së qytetarëve. Nuk kemi një qeveri përballë evazionit, por një qeveri që përfiton nga evazioni”, deklaroi Basha në një takim me gazetarët.

Përballë kësaj qeverie, sapo të nisë sesioni i ri politik, kryetari i Partisë Demokratike premtoi se opozita do të jetë kudo me programin e saj ekonomik të taksave më të ulëta në rajon dhe për heqjen e asaj që e quan “taksa Rama” mbi karburantin.

“Në Parlament, në protesta, në bashkëbisedim me qytetarët”, tha Basha.

Dhe pavarësisht nëse kjo strategji e opozitës do të jetë apo jo efikase, Basha është i vendosur t’i shkojë deri në fund. “Përndryshe do të jemi bashkëfajtorë”, tha ai.

Bashkëbisedimi me gazetarët i dha mundësi kryetarit të Partisë Demokratike të shuajë çdo hamendësim apo përpjekje që lidhin demokratët në koalicion me Edi Ramen apo Ilir Metën.

“Kryetari i PD nuk hyn në kulisa me arkitektët e kriminalizimit dhe korrupsionit të politikës. Pa asnjë kompromis me ta”, theksoi Basha. 

Top Channel