“Tym i bardhë” ka dalë nga hoteli “Hilton” i Athinës pas 22 orësh bisedimesh midis ministrave të qeverisë greke dhe kuartetit të huadhënësve dhe pothuajse është arritur marrëveshja e shumëpritur për memorandumin e tretë të ndihmës financiare që do mbajë Greqinë në Eurozonë dhe do e shpëtojë nga falimentimi.

Sipas ministrit të Financave, Euklid Tsakalotos, kanë mbetur për t’u zgjidhur edhe dy ose tre çështje të parëndësishme me të cilat merren tashmë grupet teknike nga të dy palët. 

Objektivat që janë vendosur në bazë të marrëveshjes parashikojnë tepricë primare për vitin 2015 në -0.25 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, +0.5 përqind për vitin 2016,+1.75 përqind për vitin 2017 dhe 3.5 përqind për vitin 2018.

Gjithashtu, është vendosur që të mos merret asnjë masë financiare në vitin 2015 dhe 2016 për të arritur objektivat e rëna dakord midis dy palëve, ndërsa për vitet 2017 dhe 2018 vendimet do të merren në bazë të zhvillimeve.

Në një tekst prej 60 faqesh janë përmbledhur mbi 30 reforma që duhet të marrin dritën jeshile nga Parlamenti në orët e ardhshme. Midis tyre bien në sy:

• Rritja e taksës së tonazhit të anijeve.

• Rikthimi i sistemit të regjistrimit të recetave të barnave

• Heqja e privilegjeve të fermerëve për naftë me çmim të ulët

• Ristrukturimi i administratës publike

• Përmirësimi i mangësive në mbledhjen e të ardhurave tatimore

• Shkurtimi gradual e pensioneve të parakohshme

• Qarkore për sistemin e TVSH-së në ishujt greke, me anulim të privilegjeve deri në fund të 2016.

• Plani i Integruar për rikapitalizimin e bankave, mbështetja për një likuiditet të plotë dhe trajtimi  i kredive të keqija.

• Reforma në tregun e energjisë, veçanërisht të gazit natyror deri në liberalizimin e plotë në 2018

Një listë tjetër me 23 masa do të shqyrtohet në muajin tetor. Ajo që mbetet tani është miratimi i marrëveshjes nga Parlamenti grek që parashikohet të enjten në një seancë ku kabineti Tsipras do të masë edhe njëherë forcat e tij. Paradoksi qëndron në faktin se qeveria do të ketë mbështetjen e opozitës, por jo të “rebelëve” në gjirin e grupit parlamentar të Radikalëve të Majtë.

Më pas, më 14 gusht, ditën e premte marrëveshja miratohet edhe nga Eurogrupi në mënyrë që në datën 18 të ratifikohet edhe nga parlamentet e disa vendeve të Eurozonës. Në këtë mënyrë Greqia do të marrë frymë lirisht nga ana financiare pasi do të marrë këstin e parë mbi 20 miliardë euro nga paketa e tretë e ndihmës prej 86 miliardë euro për tre vitet në vazhdim.

Top Channel