Arben Manaj – “Ciprizimi” i opozitës laburiste britanike, përmes inicimit të doktrinave tipike marksiste-leniniste të rishtetëzimit të pronës publike, si ato që po dalin nga goja e kandidatit shokues për udhëheqës të kësaj partie, Xherëmi Korbin, njëkohësisht po shokojnë dhe çojnë në delir, segmente të caktuara të elitës politike në vend, në varësi të pozicionimit të tyre politik.
Majtizmi ekstrem i artikuluar nga 66-vjeçari, deputet i Londrës, i cili në kohën dhe epokën kur jetojmë, përngjan politikisht më shumë si fosile e një epoke tjetër, nga ato që gjenden shpesh në Muzeun e Historisë së Natyrës në Londër, argëton një spektër të caktuar naivësh, aventurierësh dhe personalitete antikuarë të politikës së vjetër britanike, që kanë lulëzuar brenda skadencës së tyre, më së shumti politikisht në kohën e Luftës së Ftohtë dhe përballjen e madhe ideologjike mes komunizmit lindor dhe kapitalizmit perëndimor, e që ende jo natyrshëm, vazhdojnë të notojnë nëpër ujërat e politikës bashkëkohore duke nxjerrë kokën në sipërfaqe për të shkaktuar dallgë.
Laburistët britanikë ndodhen përballë një udhëkryqi të madh ideologjik, pasi idetë për rishtetëzime të sektorëve vitalë të privatizuar tashmë, si hekurudhat, energjinë e ndonjë tjetër, nëse një ditë të bukur do të kenë fatin të vijnë në pushtet, ditë që largohet fatalisht gjithnjë e më shumë si sondat drejt pafundësisë kozmike, kërcënojnë ta rikthejnë këtë parti, që në dekadat e fundit sundoi për tri mandate Britaninë, në kohët e vështira të opozitarizimit të përjetshëm të fundviteve ’70, ’80 e deri në mesin e atyre ’90, të shekullit të kaluar.
Rivendikimi i klauzolës IV është bërë gjatë një interviste të Xherëmi Korbin në median britanike të së dielës.
Kjo klauzolë politike, e cila theksonte “pronësinë e përbashkët mbi mjetet e prodhimit, shpërndarjes dhe shkëmbimeve”, ishte hequr si e tillë prej platformës politike të laburistëve nga udhëheqësi i saj legjendar Toni Bler, njeriu që rezultoi më rezultativi në sjelljen e të majtëve në pushtet në Britani.
Argumentueshëm, gara për udhëheqësin e ri të laburistëve po shndërrohet si pa dashje në një konkurrim tipik të kompeticioneve për talente muzikore dhe jo si një objektiv për marrjen e pushtetit politik.
Zhbërja e modernizimit politik të iniciuar në filozofinë e “Rrugës së Tretë” të blerizmit, si garanci e ardhjes në pushtet, pritet të rritë fraksionimin e saj në shizma më afër qendrës, e shtresës së mesme në rritje në shoqërinë e sotme britanike dhe fraksioneve të “drapër e çekanit”, që gëlojnë në të majtën politike britanike.
Laburistët, për mendimin tim modest, nuk fituan në zgjedhjet e fundit se nuk ishin më majtas sa duhet në politikën dhe platformën e tyre, por humbën pikërisht se shkuan më majtas dhe larg thithjes së votës së shtresave të mesme të shoqërisë, që nuk gjetën vetveten te kjo forcë, e cila nuk arriti të kuptojë se në politikën moderne, përveçse platformave, ka edhe elemente të tjera si karizma dhe aftësia për të qenë i pëlqyeshëm, edhe për ata që nuk janë të interesuar për politikën në përgjithësi.
Nëse ish-udhëheqësi humbës Ed Miliband humbi edhe pse mjaft i ri në moshë, nuk mund të imagjinoj dot, pa rënë në pozitat e ejxhizmit, sesi një 66-vjeçar si Xherëmi Korbin, që duket sikur sapo ka dalë nga ndonjë pub, do të mund të fitojë masivisht votat e atyre që rrinin tërë ditën online nëpër smartphone apo atyre që janë shkëputur nga varfëria dhe format klasike të klasës punëtore në kapitalizmin britanik.
Kapitalizmi i këtij shekulli, pasi mposhti utopinë socialiste, ka mundur pavarësisht se për sa kohë, të zgjerojë bazën e saj elektorale përmes “kapitalistizimit” të fraksioneve të mëdha të shoqërisë, duke i shndërruar ata në aksionerë apo pronarë me interesa, që i lidhin më shumë drejt partive të djathta, sesa atyre klasike të majta.
Britanikët nuk janë grekë në mentalitet dhe unionizmi apo sindikalizmi, është shumë më i dobët në këtë vend, sesa në disa vende të tjera të Perëndimit, e njerëzit janë më pragmatistë në qasjen e tyre ndaj politikës dhe jetës në përgjithësi, ashtu siç janë ndër kombet më ateiste në masë në kontinent.
Laburistët britanikë pësuan një humbje të beftë dhe shokuese në zgjedhjet e majit të kaluar e si ajo pula pa kokë, ende nuk po e gjejnë forcën për t’u organizuar.
Kandidatët për drejtues partie të laburistëve fatkeqësisht nuk janë më inspiruesit e mundshëm, e siç ndodh shpesh me shumë parti politike në botë, në faza të caktuara të jetës se tyre, edhe laburistët nuk kanë as liderin e duhur dhe më keq, nuk arrijnë të identifikojnë as politikat më adekuate dhe shpresëdhënëse për t’u ringritur.
Kam frikë se e njëjta gjë po ndodh edhe me laburistët britanikë, të cilët e kanë hedhur vështrimin, të paktën nga sondazhet në kampin e Xherëmi Korbin me shokët e tij ideologjikë, që na habitnin neve të epokës së fundit të komunizmit shqiptar, kur ata vizitonin Shqipërinë e mbaruar të Ramiz Alisë.
Një fitore potenciale e tij për kreun e partisë, do të jetë dhurata më e bukur pas rizgjedhjes, për Kryeministrin Cameron dhe të djathtën britanike të qendrës, pasi do t’u garantonte atyre minimalisht një mandat tjetër, edhe pse Toni Bler foli për dy dekada të tjera në opozitë.
Shumë donatorë të njohur laburistë kanë deklaruar ndërkohë se nuk do të japin më kontribute financiare për një parti, e cila mund të drejtohet, siç e cilësojnë ata, nga një “kalë i ngordhur”.
Jo dhe aq, spekulimet se gjithnjë e më shumë po regjistrohen anëtarësime të reja të paprecendenta pas humbjes në zgjedhjet e fundit nga mbështetës jo anëtarë partie, që mund të votojnë për drejtuesin e ri të opozitës, përkundrejt një kuotizacioni prej tre sterlinash, ku mendohet se ekstremistë të majtë dhe përkrahës të konservatorëve, po shtojnë shanset që të fitojë ky kandidat i preferuar për të djathtën.
12 shtatori do të jetë një datë përcaktuese në historinë politike moderne, jo vetëm të laburistëve britanikë, që për mua do e largojnë sesa do e afrojnë këtë parti sërish me pushtetin, nëse fiton Xherëmi Korbin.
Fitorja, gjithnjë e më pak hipotetike e tij, do të përcaktojë deri diku edhe formën e politikave dhe qëndrimeve të brendshme dhe atyre të jashtme të Britanisë së Madhe, në prag sfidash të rëndësishme ndërkombëtare, që nga angazhimi përmes miratimit parlamentar në luftën kundër Shtetit Islamik e deri tek e ardhmja e vendit në BE.
Katapultimi i një marksist-leninisti, si Xherëmi Korbin, një njeriu që ka kundërshtuar luftërat si atë në Kosovë p.sh., duke lobuar kundër bombardimit të Beogradit nga NATO-ja, apo luftës në Irak, e me gjasa do të angazhohet kundër përfshirjes dhe luftës së Perëndimit kundër Shtetit Islamik, mban erë katastrofe për të majtën britanike.
Ekstremizmi i së majtës britanike, ndryshe nga sa pretendohet, nga profilet e ndryshkura të së majtës së tejkaluar tashmë, veçse do i japin dhe lënë dorë të lirë Kryeministrit Kamerun dhe aplikimit më me forcë të filozofisë politike të partisë së tij të kapitalizmit të mirëfilltë, drejt zhdukjes së formave mbijetuese të shtetit dhe publikes dhe rolit të saj në shoqërinë postmoderne britanike, si dhe atyre vlerave të domosdoshme që laburistët tentuan në kohën e artë të Blerit, të ruajnë aq sa mundën, në sfondin e një vendi që prodhoi kapitalizmin dhe jo të kundërtën e tij.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel