Opinioni publik dhe pritshmëritë nga bashkia

09/08/2015 00:00

Dorian Koci – Në këto ditë të nxehta vere, teksa dëgjoj për opinionet rreth nismave më të fundit të Bashkisë së Tiranës më vjen ndër mend fabula e njohur e vezës së Kolombit.

Sipas anekdotës historike, kur Kolombi po tregonte sesi kishte zbuluar Amerikën, gjatë një darke me disa fisnikë spanjollë, një nga të pranishmit i tha: “Çfarë mund të jetë më thjesht sesa zbulimi i një vendi të ri?” Si përgjigje, Kolombi i propozoi të zgjidhte një detyrë të thjeshtë: si të vinte një vezë që të qëndronte vertikalisht mbi tavolinë? Kur asnjeri nga të pranishmit nuk arriti ta bënte këtë gjë, Kolombi, mori vezën, e krisi nga njëra anë dhe e vuri mbi tavolinë, duke iu treguar të gjithëve që kjo me të vërtetë ishte një gjë e thjeshtë. Atëherë, duke parë këtë veprim, të gjithë protestuan duke pohuar se edhe ata mund ta kishin vendosur vezën vertikalisht. Kolombi iu përgjigj: “Dallimi midis nesh, të dashur zotërinj, është, që ju mund ta kishit bërë, kurse unë e kam realizuar me të vërtetë”. Të gjithë ata që ishin aty të pranishëm heshtën dhe e kuptuan se çfarë donte të thoshte Kolombi. Nëse një veprim bëhet njëherë, pastaj çdonjëri di sesi ta bëjë.

Një sindromë shumë e përhapur e opinionit tonë publik është ajo e “vezës së Kolombit”. Për shumë zgjidhje dhe zgjedhje të problemeve nuk ngurrojmë të shprehemi se “e dinim” ose “mund ta bënim dhe ne të tjerët”, kur në fakt, mungesa e vullnetit dhe keqqeverisja kanë bërë të mundur që të mos kryheshin si duhej. Pastrimi i qytetit dhe përmirësimi i shërbimit urban janë dy çështje që mund të zgjidhen njëherë e mirë për qytetarët e Tiranës nëpërmjet miradministrimit të taksave dhe kërkesës së llogarisë, ndaj kryetari i ri i bashkisë nuk duhet dekurajuar duke e përqeshur se pse hipën në autobus, por opinioni publik duhet t’u kërkojë më tepër llogari të ngjashmëve me të, se përse dhe ata nuk e kanë përdorur më parë këtë shërbim ose nuk e kanë vënë re katandinë e tij. Veza e Kolombit është gjithmonë aty për të na treguar se gjërat gjithmonë mund të dihen, por ato duan përkushtim dhe vullnet për t’u realizuar.

Opinioni publik në Shqipëri ende nuk është kthyer në një opinion formues që ndikon në vendimmarrje dhe për më tepër të shërbejë dhe si garant i disa standardeve cilësore për të përmirësuar më tepër qeverisjen, jetën sociale dhe aspekte të ndryshme të shoqërisë civile. Ashtu si çdo aspekt i jetës sonë publike, edhe opinioni publik vuan nga indiferenca, moskokëçarja, radikalizmi dhe keqpërdorimi në funksion të qëllimeve të tjera. Shoqëri ende jo të maturuara, si është shoqëria jonë me nocionet e respektit të kulturës dhe punës individuale të Tjetrit, tentojnë që të ndërtojnë paradigma ligjërimi të njëtrajtshme, ku nocionet bazë reduktohen vetëm në përkthim të të mirave materiale ku ka pak, ose aspak vend për nocione si idealizmi, vullnetarizmi dhe solidariteti. Në këtë kontekst çdo zë individual që merr dhe përgjithësi publike dhe që tenton të vendosë disa standarde në komunikim dhe në zgjidhjen e problematikave që na rrethojnë, paragjykohet dhe akoma më keq përtallet.

Nisma më e fundit e Bashkisë së Tiranës për pastrimin e qytetit, më tepër se shfaqje propagandistike si po përpiqen ta pasqyrojnë një pjesë e medias mosbesuese, po kthehet dita-ditës në një realitet të prekshëm dhe besoj se është detyra e çdo qytetari që ta vëzhgojë dhe raportojë sa herë ky premtim i kryetarit aktual nuk zbatohet apo akoma më keq shkelet me të dyja këmbët. Transparenca gjithmonë sjell mirëqeverisje dhe ky parim i njohur nuk është se po e zbulojmë ne të parët, por është një parim që ka sjellë gjithnjë përmirësim të jetesës publike. Veprime të tilla, që nuk kërkojnë ekskluzivisht vetëm punën e institucionit, por edhe përfshirjen e qytetarëve në një aksion për të përmirësuar jetën tonë publike duhen përshëndetur. Ato ndikojnë te qytetari për ta kthyer nga një qytetar moskokëçarës dhe ankues, në një qytetar aktiv që braktis individualizmin e vet dhe kthehet në një qytetar llogari kërkues. Për njëzetepesë vjet me radhë në emër të neoliberalizmit kemi kërkuar për të përmirësuar individët, por kemi harruar shoqërinë dhe mekanizmat e saj që duhet të funksionojë si një e tërë. Për fat të keq, as individ të fortë e të ndërgjegjshëm nuk kemi ndërtuar, e as shtet e shoqëri të përgjegjshme që do të mund të afrojë individëve përkrahje dhe solidaritet. Për këtë arsye duhet ende të investojmë më shumë në ndërtimin e një infrastrukture shpirtërore sipërane të gjitha gjërave të tjera materiale, në mënyrë që të rikthejmë besimin në veten tonë dhe përkundrejt të tjerëve.

Opinioni publik shqiptar duhet të fillojë të formësohet për t’u bërë rojtari dhe mbrojtësi i interesit tonë publik. Sigurisht që të realizohet kjo gjë, ka nevojë që edhe vetë media, njerëzit me ndikim në të, të mos jenë një shtojcë e politikës që bëjnë pazare në kurriz të interesave madhore të shoqërisë, por të guxojnë që të kritikojnë, por edhe të lavdërojnë e mbështesin aty ku ka nevojë. Përpara të gjitha reformave të mundshme që janë ndërmarrë apo do të ndërmerren në të ardhmen e vendit, si ajo e drejtësisë,  e arsimit apo e shëndetësisë, shoqëria shqiptare dhe opinioni publik ka nevojë për një reformë tjetër shpirtërore të vetvetes së qytetarit shqiptar për t’u kthyer në qytetarin aktiv, të rreptë për të mbrojtur të drejtat e tij, por edhe inkurajues dhe aspak ngurrues për të kritikuar kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA