Laburistët britanikë, në udhëkryq. Tërmet politik nga pretendenti për drejtimin e partisë

09/08/2015 00:00

Në një intervistë dhënë shtypit britanik të së dielës, Jeremy Corbyn, 66-vjeçari që kryeson dukshëm në garën për kreun e ri të Partisë Laburiste në opozitë, ka thënë se partia duhet t’i rikthehet angazhimit të saj historik për pronësinë publike të industrisë së vendit, e cila njihet si “Klauzola IV”.

Kjo klauzolë politike, e cila theksonte “pronësinë e përbashkët mbi mjetet e prodhimit, shpërndarjes dhe shkëmbimeve”, ishte hequr si e tillë prej platformës politike të laburistëve nga udhëheqësi i saj legjendar, Tony Blair, njeriu që rezultoi më rezultativi në sjelljen e të majtëve në pushtet në Britani.

Jeremy Corbyn po artikulon politika dhe qëndrime të orientuara nga e majta ekstreme, ndryshe nga politikat e qendrës së majtë të kësaj partie, e cila ndodhet në një udhëkryq ideologjik me pasoja të pariparueshme për disa dekada, çka nënkupton se do ta mbajnë atë me shumë gjasa larg “Doëning Street”.

Analistët argumentojnë se, gara për udhëheqësin e ri të laburistëve po shndërrohet pa dashje në një konkurim, tipik si ai i kompeticioneve për talente muzikore, e jo si një objektiv për marrjen e pushtetit politik.

Ka një frikë të madhe në opinion dhe në radhët e laburistëve se, një fitore potenciale e Jeremy Corbyn do të konsolidojë pushtetin e të djathtëve dhe më e keqja është se, ajo do të pasohet nga përçarje të thella në këtë parti të ngjashme me ato të para viteve ’80 të shekullit të kaluar.

Shumë donatorë të njohur laburistë kanë deklaruar ndërkohë se, nuk do të japin më kontribute financiare për një parti, e cila mund të drejtohet – siç e cilësojnë ata, – nga një “kalë i ngordhur”.

Ndërkaq, në shtyp po flitet gjithnjë e më shumë për anëtarësime të reja të paprecendenta pas humbjes në zgjedhjet e fundit, nga mbështetës jo anëtarë partie, që mund të votojnë për drejtuesin e ri të opozitës përkundrejt një kuote anëtarësimi prej 3 stërlinash, ku mendohet se ektremistë të majtë dhe përkrahës të konservatorëve janë regjistruar me qëllim që të fitojë ky kandidat i preferuar për të djathtën.

12 shtatori do të jetë një datë vendimtare në historinë politike, jo vetëm të laburistëve britanikë dhe sesa larg apo afër pushtetit do të jetë kjo parti, por do të përcaktojë deri diku edhe formën e politikave dhe qëndrimeve të brendshme dhe atyre të jashtme të Britanisë në prag sfidash të rëndësishme ndërkombëtare, që nga angazhimi në luftën kundër Shtetit Islamik, e deri tek e ardhmja e vendit në BE.

Top Channel