Obama paralajmëron Turqinë: Sulme kundër ISIS-it, jo ndaj kurdëve

07/08/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Turqinë që të mos përdorë aksionet kundër ISIS-it për të goditur bazat kurde në Siri dhe Irak.

“Lufta kundër ISIS-it duhet të jetë e kujdesshme të mos shndërrohet në një ofensivë kundër luftëtarëve kurdë”, deklaroi të mërkurën presidenti Obama.

Forcat kurde vlerësohen si aleatët më efektivë të Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit ndërkombëtar anti-ISIS në Irak dhe Siri. Për muaj me radhë ata u kanë bërë ballë sulmeve si në rajonin autonom të Kurdistanit në Irakun Verior, ashtu edhe në zonat e tyre në Siri.

Por presidenti turk, Recep Taip Erdogan i konsideron kurdët në Turqi, Siri dhe Irak një kërcënim për Ankaranë. Kjo e fundit nuk mund të pranojë ngritjen e një rajoni, as autonom kurd pranë kufirit të vet pasi kjo mund të ngjallte akoma më shumë ndjenjën e ngritjes së një enti autonom kurd në lindje të Turqisë, ku jetojnë rreth 6 milion të tillë.

“Kemi diskutuar me partnerët tanë turq që ISIS mbetet kërcënimi kryesor në rajon dhe për këtë duhet të përqendrohemi. Turqia ka të drejtën të vetëmbrohet dhe ne po punojmë për momentin se si të arrijmë një marrëveshje për t’u mbyllur portat e rekrutimit xhihadistëve”, deklaroi Obama për Huffington Post.

Top Channel