Korea e Veriut ndryshon orën për t’u shkëputur nga “imperializmi”

07/08/2015 00:00

Korea e Veriut do të vendosë një orar të ri për të shënuar çlirimin e saj nga Japonia në fund të Luftës së Dytë Botërore, bëjnë të ditur mediat shtetërore.

Korea e Veriut aktualisht ndodhet në të njëjtën kohë me atë të Jugut dhe Japoninë, që janë 9 orë para Kohës Reale të Grinuiçit. Por ora në Penian do të kthehet 30 minuta pas më 15 gushtin e ardhshëm.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA deklaroi se, “imperializmi i keq japonez” i kishte mohuar Koresë edhe kohën standarde, duke ndryshuar orën gjatë pushtimit.

I gjithë gadishulli korean, atëherë një vend i vetëm, ishte 8 orë e gjysmë para Kohës Reale të Grinuiçit derisa Japonia e kolonizoi në vitin 1910.

Agjencia KCNA citoi zyrtarët të thoshin se, “vendimi reflekton besimin e palëkundur të shërbëtorëve të shtetit dhe njerëzve tek 70-vjetori i çlirimit të Koresë”.

Nga ana e saj, Korea e Jugut reagoi duke deklaruar se kjo lëvizje mund të shkaktojë probleme afatshkurtra në impiantin industrial Kaesong të Veriut, që menaxhohet bashkarisht nga dy Koretë.

“Ndërsa në terma afatgjatë, ajo mund të shkaktojë disa pengesa në përpjekjet për të unifikuar standardet dhe për të reduktuar diferencat mes dy palëve”, deklaroi ministri i Unifikimit, Jeong Joon Hee.

Aktualisht nuk ka një institucion ndërkombëtar që të aprovojë ndryshimin e orës së një vendi, gjë që u mundëson shteteve të ndryshme ta caktojnë atë vetë.

Në vitin 2011, Samoa ndryshojë orën e saj duke u kthyer 24 orë pas, për të lehtësuar komunikimet me vendet fqinje si Australia dhe Zelanda e Re.

Top Channel