Specialja, BE nxiton për kompletimin e kritereve

06/08/2015 00:00

Bashkimi Evropian është vënë në lëvizje për të përmbushur detyrat që kërkohen për të funksionalizuar sa më parë Gjykatën Speciale që do të hetojë krimet e dyshuara të luftës në Kosovë.

Pasi Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, Brukseli synon që të gjithë hapat që kërkohen prej tij t’i kompletojë deri në fillim të vitit 2016, shkruan gazeta “Koha Ditore” në numrin e sotëm të saj.

Sipas burimit mediatik, nga Brukseli është paralajmëruar se ndaj të dyshuarve menjëherë mund të ngrihen aktakuzat e para, të udhëhequra nga kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian, David Schwendiman.

Përfaqësues të Zyrës së BE-së në Prishtinë kanë bërë të ditur për gazetën dhe veprimet që do të pasojnë gjatë ditëve në vijim.

“Në këtë fazë, hapat e mëtejshëm përfshijnë finalizimin e marrëveshjes me vendin ku do të hapet gjykata dhe negociatat për vendndodhjen e Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu zyrën e kryeprokurorit”, thuhet në një përgjigje me shkrim.

Një ditë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, prokurori Schwendiman i bëri thirrje klasës politike të vendit që të vijojnë pa humbur kohë me hapat e tjerë të nevojshëm që çojnë në formimin e gjykatës.

Top Channel