Në Shipkovicë vazhdojnë kërkimet e vajzës së zhdukur

06/08/2015 00:00

Edhe të enjten kanë vazhduar kërkimet e vajzës 6-vjeçare nga fshati Shipkovicë, e cila që nga dita e përmbytjeve që përfshinë Tetovën dhe fshatrat përreth, konsiderohet si e zhdukur.

Pas pastrimit të katit të parë të shtëpisë ku supozohej se mund të ishte trupi i vajzës, tani kërkimi vështirësohet, ngaqë përfshin hapësira të mëdha jashtë shtëpisë dhe gjatë rrjedhës së përroit të fshatit.
 
Ndërkohë, në orët e mbrëmjes të së mërkurës, pas kërkimeve dy ditëshe, është gjetur trupi i pajetë i 61-vjeçarit Raif Jusufi nga fshati Lisec, i cili konsiderohej i zhdukur.
 
Raif Jusufi në ditën e përmbytjeve ka qenë në bjeshkë bashkë me nipin e tij 7-vjeçar, i cili po ashtu humbi jetën në fatkeqësinë natyrore të së hënës. Trupi i vogëlushit 7-vjeçar u gjet në fshatin Reçicë të Madhe.

Kështu që  përmbytjet që përfshinë Tetovën dhe fshatrat përreth, kanë marrë jetën e 6 personave, ndërkaq 80 të tjerë janë lënduar dhe qindra shtëpi kanë mbetur të shkatërruara.

Top Channel