Sherri në Facebook, PD: Fyerje rruge dhe tone banditësh nga Ndoka ndaj Pollos

05/08/2015 00:00

Postimi në rrjetet sociale i një materiali nga ana e deputetit Genc Pollo, që sipas Partisë Demokratike dëshmon lidhjen me krimin të deputetit socialist, Arben Ndoka, ka ngjallur reagimin e drejtpërdrejtë të këtij të fundit ndaj deputetit demokrat.

Ndoka ka replikuar po në rrjetin social me Pollon, një replikë që opozita thotë se është sulm i drejtpërdrejtë dhe fyerje rruge me tone banditësh ndaj deputetit Genc Pollo.

“Partia Demokratike e dënon ashpër këtë agresion të pashembullt të deputetit të Edi Ramës, i dënuar për trafik prostitucioni e rrëmbim personi. Sigurisht, i zgjedhuri i Partisë Socialiste ka bekimin e Edi Ramës për sulmet që bën ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe ai është përsëritës në këtë drejtim. Por këto janë grahmat e fundit të krimit në Parlament e në politikë, pasi Partia Demokratike do ta çojë deri në fund procesin e dekriminalizimit me mbështetjen e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në një deklaratë shpërndarë për publikun nga ana e Selisë Blu.

PD thotë se ky rast është shembulli tipik për nevojën urgjente që ka procesi i dekriminalizimit të politikës.

“Akti rrugaçëror i deputetit të Ramës është një vërtetim më shumë për nevojën urgjente të pastrimit të politikës nga soji i Ndokës. Ai u përzgjodh nga shefi i tij për të sulmuar opozitën dhe po e mbyll karrierën e inkriminuar duke sulmuar opozitën. Ky është niveli banal ku e ka çuar Parlamentin Edi Rama, me njerëz që nuk njohin asnjë vlerë të demokracisë të debatit e fakteve, por njohin vetëm gjuhën e dhunës e të agresionit”, thotë PD.

Opozita shprehet e vendosur për ta çuar deri në fund dekriminalizimin, që e cilëson një proces jetik për vendin.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel