PD: Qeveria pranoi dështimin në mbledhjen e të ardhurave

04/08/2015 00:00

Partia Demokratike ka deklaruar këtë të martë se, Ministria e Financave ka pranuar më në fund zyrtarisht dështimin e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave.

Në një komunikim me mediat, deputeti Edmond Spaho ka thënë se, dështimi në mbledhjen e të ardhurave përbën dështimin kryesor të një qeverie, e cila sipas tij në një rast të tillë pushon së funksionuari.

“Pranimi zyrtarisht i këtij dështimi nga Ministria e Financave ka nxjerrë në pah gënjeshtrat e Edi Ramës, i cili vetëm pak ditë më parë, kur bëri bilancin, foli për arritje e suksese. Më e rënda për vendin është se këto 134 milionë dollarë që mungojnë në buxhet, që mungojnë në investime, në rrugë, shkolla, apo ujësjellës, kanë si origjinë korrupsionin. Janë 134 milionë dollarë që kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve, ministrave dhe klientelës së Edi Ramës”, ka thënë Spaho.

Ai ka theksuar se, PD ka denoncuar që në fillim se korrupsioni, rryshfeti, ulja e traut të doganës për miqtë e qeverisë po shkaktonte një gropë të madhe në të ardhurat e vendit, ndërsa Edi Rama e mohonte.

“Por e vërteta e hidhur ka dalë në shesh. Tani nuk e dimë se çfarë emri do t’i vërë Edi Rama kësaj? Çfarë arritje apo suksesi janë këto 134 milionë dollarë të vjedhura në Tatime e Dogana? Ky korrupsion galopant i ka dhënë pasojat dhe siç e dimë, përfaqësuesi i FMN u shpreh i zhgënjyer dhe Fondi ka vendosur të mos lëvrojë kredinë”, ka thënë Spaho.

Ai ka theksuar se, edhe pse Rama vendosi taksat më të larta në rajon, ai sot ka performancën më të dobët në rajon në grumbullimin e të ardhurave.

“Para këtij fakti tronditës, nuk ka asnjë shenjë reflektimi. Përkundrazi, në filozofinë e Edi Ramës, fajin e ka populli. Ai ka ndërmend t’i nxjerrë në kurriz të popullit të ardhurat që nuk ua merr miqve të tij biznesmenë, të ardhurat që nuk ia merr klientelës së tij në dogana. Të ardhura që sigurisht i ndan me ta”, ka vijuar Spaho.

Sipas tij, zgjidhja e vetme e kësaj situate është ulja e taksave, një administratë e ndershme në Tatime e Dogana dhe trajtimi i barabartë para ligjit e detyrimit për të gjithë.

“Partia Demokratike bën edhe një herë të ditur se sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit, ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 përqind, më të ultën në rajon. Do shmangim kështu korrupsionin e informalitetin, do rrisim të ardhurat dhe do ta bëjmë vendin më tërheqësin në rajon për investime”, ka shtuar Spaho. 

Top Channel