Imazhet e refugjatëve të shkrepura nga duart e fotoreporterëve të huaj, i kanë dhënë kësaj krize tone edhe më dramatike. Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar së fundmi foton e nje djali 2-vjeçar, trupi i të cilit u gjet i mbytur si për ironi të fatit në brigjet e një resorti pushimesh në Bodrum të Turqisë.
“Djali është me flokë dhe lëkurë të errët dhe mban veshur një bluzë të kuqe”. Ky ishte njoftimi që bëri policia turke, por që fatkeqësisht askush nuk shkoi të interesohej për trupin e dyvjeçarit të pajetë, kjo pasi mendohet që edhe familja e tij të jetë mbytur në anijen me 13 sirianë, të cilët fatkeqësisht shënuan tragjedinë e radhes në përpjekje për të arritur brigjet e ishujve grekë.
Imazhet e trishta kanë bërë të reagojnë shumë aktivistë të fjalës së lirë, të cilët kanë gozhduar kryeministrin britanik David Cameron si një nga liderët që i ka mbyllur dyert e vendit të tij, me fjalet : Mjaft është mjaft! Pamjet e rënda duhet të jenë thirrje zgjimi për Cameron.
Horrori i këtyre episodeve të rënda humane pasqyrohet vazhdimisht nga mediat nëpërmjet fotove. Fokusi i aparatit janë fëmijët, të cilët janë kthyer padashur në bashkëvuajtës së dramës me familjarët e tyre.
Përpos çështjes së strehimit të refugjatëve, që tashmë kanë zbarkuar në Europë, problem është edhe pritja e rreth 15 mijë të tjerëve që presin të kalojnë në Lesbos për të hyrë në portin e Pireut të Athinës, përpara se të vijojnë udhëtimin e tyre drejt veriut të Maqedonisë, Serbisë, Hungarisë deri në Gjermani. Për shkak të mungesës së kushteve, gjendja e refugjatëve është rënduar, duke bërë, sipas autoriteteve, një situate edhe më kaotike që ka rritur frikën për shpërthimin e sëmundjeve.
Top Channel