PD denoncon koncesionin e dializës në shëndetësi

01/08/2015 00:00

Partia Demokratike denoncoi koncesionin për shërbimin e dializës në sistemin e shëndetësisë, duke e cilësuar atë si korruptiv e që po u ofrohet njerëzve të afërt me kryeministrin Edi Rama.

“Pas dy ditësh, Edi Rama, ka vendosur të japë nje koncesion prej 61 milione eurosh për shërbimin e dializës. 61 milionë euro do të marrë me 3 gusht një mik i Edi Ramës, siç e tregon përvoja e deritanishme dhe qepja e kritereve sipas portretit të fituesit të paracaktuar”, thuhet në deklaratën e opozitës.

PD thotë se ofrimi i një shërbimi të tillë kushton 10 herë më pak

“Edi Rama jo vetëm po i jep 61 milione euro klientit të tij, por po e nxjerr dhe këtë shërbim jashtë sistemit duke ia besuar njerëzve të tij për interesa biznesi dhe jo për interesat e shëndetit të qytetarëve”, deklaroi zëdhënësja e PD, Oriela Nebijaj.

Më tej, opozita thotë se do ta anulojë këtë koncesion, nëse ai realizohet, dhe do të vendosë para ligjit përgjegjësit e tij.

“Partia Demokratike nuk do ta lejojë këtë biznes monstruoz me jetën e qytetarëve të vendit. Ne garantojmë qytetarët se do të anulojmë çdo koncesion korruptiv dhe do vemë para ligjit përgjegjësit sapo qytetarët të na japin besimin e tyre për të drejtuar vendin”, thuhet në deklaratë.

Top Channel