PD prezanton “dekriminalizimin”, Bylykbashi: “Ligji Severino”, bosht i procesit

31/07/2015 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetit Oerd Bylykbashi, ka prezantuar këtë të premte platformën për dekriminalizimin e Parlamentit, pushtetit vendor dhe organeve të administratës, bazuar mbi raportin e Komisionit të Venecias.

Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi ka sqaruar se, PD propozon ndryshime kushtetuese dhe ligjore për ndërprerjen e menjëhershme të mandateve të deputetëve dhe zyrtarëve me të shkuar kriminale‎ në Shqipëri apo jashtë saj, si dhe ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të këtyre personave në të ardhmen.

“Partia Demokratike propozon që ndalimet kushtetuese dhe ligjore të përfshijnë personat që kanë llogari të hapura me drejtësinë e vendeve të tjera. Do të ndalohen të kandidojnë apo të mbajnë funksione publike të gjithë personat të cilët janë në procese hetimi apo gjykimi në vendet e tjera, janë në kërkim ndërkombëtar, apo janë dëbuar nga vendet e Bashkimit Europian apo shtete të tjera në lidhje me kryerjen e krimeve të rënda në ato vende”, ka deklaruar Bylykbashi.

Ai ka sqaruar se, paketa e dispozitave që do të propozojë PD garanton që personat me rekorde kriminale që përdorin identitet të ndryshuar, të dyfishtë apo të shumëfishtë, të mos futen në Parlament apo në organet e tjera të pushtetit dhe për këtë do të verifikohen shenjat e gishtërinjve.

“Shqiptarët meritojnë të kenë të zgjedhur dhe zyrtarë publikë me integritet dhe në nivelin më të lartë etik. Në përputhje me praktika të konsoliduara të vendeve demokratike si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partia Demokratike propozon testin e drogës për zyrtarët e lartë”, ka thënë Bylykbashi.

Sipas tij, kjo platformë që do t’i paraqitet sot komisionit parlamentar për dekriminalizimin do të shërbejë për hartimin e ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese, duke filluar nga nisja e sesionit të ri parlamentar, bazuar në modelet me të mira e më të forta euro-amerikane.

“Ligji italian i njohur si “Ligji Severino” do të jetë boshti i këtij propozimi. Por ky model do t’i përshtatet situatës dhe kontekstit të rënduar shqiptar të gradimit me pushtet të personave me rekorde të tmerrshme kriminale, që i kanë shpëtuar dënimeve për shkak të dëbimit dhe deportimit për në Shqipëri”, ka nënvizuar Bylykbashi.

Ai ka shtuar se, dekriminalizimi është shprehje vullneti politik dhe “çdo përpjekje për të zbutur apo zvarritur dispozitat që do të propozohen, siç ka bërë deri më sot qeveria, është derë e hapur për kriminelët”, ka vijuar deputeti i PD.

“Kjo është kundër interesit publik dhe kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian”, ka thënë ai.  

Top Channel