Hetimet për krahun e avionit. Specialistët: Të bindur se i përket boingut malajzian

31/07/2015 00:00

Ka shumë mundësi që mbetja e gjetur në brigjet e ishullit Reunion, në Oqeanin Indian, t’i përkasë vërtet MH370-tës. Objekti rreth 2 metra i gjatë, sipas gjasave, një copë krahu e një boingu 777, do të dërgohet në Francë, ku do të analizohet nga një grup ekspertësh.

Megjithatë, Martin Dolan, australiani që kryeson operacionet e kërkimit, i përcolli BBC-së bindjen e tij se mund të bëhet fjalë vërtet për një pjesëz të avionit të zhdukur nga radarët 8 marsin e vitit të kaluar, fati i të cilit vazhdon të mbetet i rrethuar në mister.

“Gjithmonë e më shumë më krijohet bindja se mbetja e gjetur i përket një Boingu 777, e deri më tani, nuk ka raporte që ndonjë avioni të tillë t’i ketë humbur ndonjë pjesë krahu. Ne i kemi të gjitha mundesitë që ta kontrollojmë zonën në fjalë e mbase dhe ta gjejmë avionin e zhdukur”, tha Dolan.
 
Sipas tij, gjetja e objektit nuk ofron në vetvete ndonjë të dhënë shumë të qartë për vendin ku mund të ketë rënë avioni. Kanë kaluar 16 apo 17 muaj, shprehet ai, çdo mbetje që pluskon në ujë për aq kohë mund të shpërndahej në pjesë të ndryshme të Oqeanit Indian.

Që prej vitit 1994, kur Boeing 777 u prezantua për herë të parë, ka pasur gjithsej 5 aksidente, përfshirë edhe MH370-tën, i cili është i vetmi avion që është zhdukur mbi det. Kjo është një prej arsyeve që i shtyu  hetuesit të besojnë se më në fund kanë gjetur diçka që i përket avionit, për të cilin janë ngritur hipoteza të shumta. Megjithatë, për ta konfirmuar saktësisht një gjë të tillë, ekspertët duhet t’i shqyrtojnë nga afër mbetjet e gjetura, ndaj autoritetet malajziane nuk po nxitohen të dalin me deklarata zyrtare.

Top Channel