Kreu i kurdëve, Demirtas: Erdogan po e fut Turqinë në luftë vetëm për hakmarrje ndaj PKK

30/07/2015 00:00

Udhëheqësi i partisë opozitare prokurde në Turqi ka akuzuar këtë të enjte Presidentin, Recep Tayyip Erdogan, se po përdor luftën kundër Shtetit Islamik si një argument mbulimi të sulmeve ajrore në Siri dhe Irak për të ndalur përfitimet territoriale dhe politike të kurdëve.

Turqia nisi sulme thuajse të njëkohshme ajrore ndaj kampeve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në veri të Irakut, si dhe luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri, gjatë së premtes së kaluar, në atë që kryeministri Ahmet Davutoglu e quajti si “një luftë e sinkronizuar kundër terrorizmit”.

Aleatët e Perëndimit, përfshi NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, kanë shprehur mbështetjen e tyre politike ndaj veprimeve të Turqisë, por disa kombe e kanë nxitur atë të mos përdorë forcë të tejskajshme, apo të braktisë përpjekjet disavjeçare për bisedime paqeje me militantët kurdë.

Në një intervistë për “Reuters”, Selahattin Demirtas, kreu i Partisë Demokratike Popullore (HDP) prokurde në Turqi, tha se synimi kryesor i veprimeve ushtarake nuk është lufta kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik, por parandalimi i kurdëve nga unifikimi i zonave që ata kontrollojnë në Siri.

“Turqia ka kryer disa sulme ajrore kundër ISIS vetëm për shfaqje, pa shkaktuar asnjë dëm të konsiderueshëm ndaj tyre. Madje, as Shteti Islamik nuk e ka marrë seriozisht presionin nga Turqia”, tha ai. “Operacionet e Turqisë nuk synojnë të marrin masa ndaj ISIS, por objektivi kryesor i tyre është të parandalojnë formimin e një entiteti kurd në veri të Sirisë”.

Demirtas, një ish-avokat karizmatik i të drejtave të njeriut, udhëhoqi HDP-në drejt zgjedhjeve parlamentare gjatë qershorit, në të cilat siguruan vende të mjaftueshme për të parandaluar partinë AK të themeluar prej Erdoganit, të zotëronte mazhorancën absolute për herë të parë prej më shumë se një dekade.

Top Channel