Pas dy muajsh SHBA rinis luftën ndaj drogës në rajon, godet një anije në Paqësor, humbin jetën dy personat në bord Kurdët akuzojnë Turqinë se me planin për të krijuar një zonë të sigurtë brenda Sirisë nuk ka për objektiv luftën kundër ISIS-it, por pengimin e formimit të një territori të kontrolluar nga kurdët në këtë pjesë.
Salahattin Demirtas, udhëheqësi politik i kurdëve të Turqisë deklaroi për BBC se sulmet turke ndaj militantëve të ISIS-it në kufirin me Sirinë po përdoren si mbulim për të bombarduar rebelët e PKK-së, që Ankaraja i quan terroristë.
“Turqia nuk ka ndërmend që të godasë ISIS-n me zonën e sigurisë. Shqetësimi i Turqisë është përpjekja e kurdëve sirianë për të ngritur brenda Sirisë një shtet autonom, ndaj zona e sigurisë është një propozim që synon të ndalojë kurdët nga realizimi i këtij objektivi dhe jo të luftojë ISIS-n”, deklaroi Demirtas.
Ai kërkoi si prej Turqisë ashtu edhe prej PKK-së, uljen e armëve dhe rikthimin në tryezën e bisedimeve për vazhduar procesin e paqes dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes dialogut.
“Turqia dhe kurdët duhet të bashkëpunojnë për krijimin e zonës së sigurisë”, u shpreh ai.
Më herët, Presidenti Erdogan deklaroi se ishte e pamundur që të vazhdohej procesi i paqes me ata që “kërcënojnë unitetin kombëtar dhe vëllazërinë e qytetarëve turq”.
Deklarata e Erdogan u bë para nisjes së tij drejt Kinës me një shpurë prej 100 sipërmarrësish me objektiv forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Por situata e fundit në kufirin me sigurinë, thotë korrespondenti i BBC-së në Pekin, mund të rivendosë në tryezën e bisedimeve dypalëshe planin turk për të blerë një sistem raketar me rreze të gjatë veprimi.
Të martën, Turqia thërriti një takim të jashtëzakonshëm të NATO-s, ku 28 vendet anëtare diskutuan atë që e quajtën kërcënimi ndaj Turqisë, një vend kyç brenda aleancës. Në deklaratën përfundimtare, NATO shpreh mbështetjen e fortë për Turqinë, por ka raportime se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Bruksel, disa vende anëtare i kanë kërkuar Ankarasë që të mos përdorë forcë të tepruar dhe të rinisë bisedimet e paqes me përfaqësuesit e minoritetit kurd.
Top Channel