Sakatimi politik i Ali Ahmetit

28/07/2015 00:00

Nga Aleksandër Çipa – Në Maqedoni nuk ka sistem politik. Në këtë vend me antagonizëm të pandreqshëm ndëretnik, trazirat kanë dy format e tyre më të shpeshta. Ngjasin më rrallë si përplasje mes dy grupeve të mëdha shtetformuese, pra mes dy njësive etnike, më shpesh në raportet pozitë-opozitë dhe fatkeqësisht gati përherë mes shqiptarëve. Përplasjet e fundit nuk përbëjnë shqetësim për qeverinë e Shkupit e aq më tepër për drejtësinë institucionale në këtë vend.

Ditët e fundit, krejt mediat ballkanike u kanë kushtuar vëmendje dy vrasjeve të ndodhura ndër shqiptarë të Maqedonisë. Personazhet e këtyre ngjarjeve që tashmë janë bërë të ndjerë, drejtpërdrejt sot, apo përmes lëvizjeve të tyre në të shkuarën e 15 vjetëve të fundit, kanë qenë të lidhur me krerët e politikëbërjes shqiptare në Shkup dhe Tetovë. Partia kryesore e shqiptarëve, ajo që konsiderohet edhe më jetëgjata në qeverisjen e kryesuar nga maqedonasit (sidomos kryeministri në detyrë Nikolla Gruevski), Bashkimi Demokratik për Integrim me kryetar Ali Ahmetin, është momentalisht forca më e goditur dhe me nivel besueshmërie të rënë në masë dramatike. Kreditet e kësaj force dhe autoriteti i saj ndër shqiptarë janë goditur fort dhe madje mund të thuhet se kanë pësuar një sakatim të rëndë politik.

Dy vrasjet e ngjara në 10 ditëshin e fundit, sidomos ajo e ish- komandantit të UÇK-së me pseudonimin Shqiponja, pra Xhemail Rexhepi dhe më pas ajo e biznesmenit të shumëpërfolur Argëtim Asani, kanë shkaktuar një goditje morale dhe kanë mundësuar gjithfarë hamendësimesh për udhëheqësinë e lartë politike të BDI-së. Ali Ahmeti nuk mori pjesë në përcjelljen mortore të komandant Shqiponjës. Vrasja e ndodhur në rrethana të njohura, por për arsye thellësisht ende të pandriçuara për publikun, është një goditje e madhe politike për kryetarin Ahmeti. Në publik ndershmëria e Ali Ahmetit dhe BDI-së, si vlerë e premtuar e luftës dhe e marrë si përgjegjësi për mishërim në qeverisje, është tradhtuar pothuajse plotësisht. Por kjo do të ishte e keqja më e vogël. Në jetën partiake dhe sidomos në luftën e nëndheshme politike të udhëheqësve të lartë të shqiptarëve të Maqedonisë është bërë armë tejet vepruese urrejtja, pabesia, kriminalizimi dhe aleancat publik-tradhtuese.

Ortakëritë qeverisëse mes kësaj udhëheqjeje të shqiptarëve dhe krerëve maqedonas të qeverisjes sllavo-maqedonase, janë nga 2001 një histori që kurrë nuk u analizuan thellë dhe me peshim të drejtë për interesin e barazive dhe të drejtave qytetare për shqiptarët. Suksesi më i madh dhe më i patejkalueshëm i rolit shqiptar në Maqedoni mbeti ai që shënoi arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Në atë rol Ali Ahmeti “i djeshëm” dhe oponenti mendjehapur që kryesonte PDSH-në, i ndjeri Arbën Xhaferi, patën jo vetëm një moment të ri historibërjeje, por edhe një protagonizëm historik. Ai mision ndryshoi realitetin dhe solli ikjen e shqiptarëve nga statusi i trajtimit si qytetarë të dorës së dytë në këtë vend dhe shtet provincial. Kjo marrëveshje edhe pse u nënshkrua dhe ndryshoi situatën dhe raportet e pjesëmarrjes institucionale në relacionet shqiptaro-maqedonase, fatkeqësisht nuk pati vijimësi dhe thellësi implementuese. Marrëveshja e Ohrit pas vitit 2005 fatkeqësisht erdhi duke u sfumuar, arshivuar dhe përdorur si fitore udhëheqësish dhe alibi për situatën dhe formulat qeverisëse në kabinetet e kryesimit maqedonas. Shqiptarët nuk mundën t’ia ndryshonin rrjedhën fatit të tyre si qytetarë të republikës që ekziston falë pranimit dhe bindjes së tyre. Ndërsa kryesuesit e tyre u sollën e sillen, si qeverisës pakice, pa kërkesa për standard. Kjo udhëheqësi e bindur dhe e nënshtruar para qeverisësve maqedonas edhe kur ata kryesohen nga një kryeministër vrasës dhe me nënndërgjegje antishqiptare, tejzgjati jetën në qeverisje dhe shkurtoi tronditshëm besimin si ish-çlirimtar dhe si udhëheqës që mund të ndërtonte paritetin mes dy etnive.

Vrasjet e ditëve të fundit mes shqiptarëve në Maqedoni, vlejnë si një kampion tronditës kriminaliteti dhe inkriminimi politik. Kanë këtë përmbajtje, prandaj udhëheqësit politikë nuk kanë as qëndrime e as deklarata publike! Por ato nuk janë thjesht incidente apo ngjarje të ndodhura spontanisht. Politika e Ali Ahmetit është sakatuar qysh me ndodhitë e tmerrshme të rastit “Monstra” para gjashtë vitesh. Më i thellë është sakatimi politik i tij në rastin e ngjarjeve të Kumanovës dhe procesi pasues i personazheve të tyre shqiptarë, i cili është lënë plotësisht në duart e hetuesve dhe gjykuesve të nënshtruar prej kryeministrit Gruevski.

Këto tri ngjarje, të ndodhura në segmentin e një harku kohor prej gjashtë vjetësh, mjaftojnë për të krijuar një perceptim real dhe imazhin e saktë, për rolin dhe kontributin që politikani Ali Ahmeti përfaqëson në realitetin e inkriminuar të hapësirës shqiptare në Maqedoni. Qëndrimi i mëtejshëm në këtë pozitë si dhe lënia në fuqi e këtij stanjacioni politik, do të sjellë jo vetëm rrënimin e plotë politik të BDI-së, por më shumë, rrjedhën e një fati ndëshkues për shqiptarët dhe të drejtat e tyre qytetare në Maqedoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA